Lirohet nga paraburgimi Muhamed Zekiri, ai do të mbrohet në liri

Gjykata Penale Shkup, miratoi vendimin me të cilin, Muhamed Zekiri, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, menjëherë të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri. Në vend të kësaj, atij iu caktuan masa kujdesi, paraqitje në Gjykatë dhe marrje të pasaportës. Gjithashtu, për shkak ndryshimeve të Kodit Penal gjykata e rikualifikoi lëndën për Zekirin dhe filloi nga e para. Tani, në vend sipas nenit 353, paragrafi 5, ai do te gjykohet sipas nenit 353 paragrafi 4. Gjegjësisht, për dallim nga akuza e parë, tani akuzohet për vepër që dënimi është më i butë, njofton Portalb.mk.

“Duke e pasur parasysh se kundër të akuzuarit udhëhiqet procedurë e shkurtër, masa paraburgimit mund të zgjasë 60 ditë prej akuzes, dhe duke e pasur parasysh se nuk ka baza ligjore për zgjatjen e paraburgimit shtëpiak, propozoj te shfuqizohet. Propozoj që për shkak sigurisë së të akuzuarit t’i caktohen masa të kujdesit, të cilat do të përbëheshin nga mos-lëshim i vendbanimit, paraqitje të rregullt në Gjykatë dhe marrje të pasaportës”, njoftuan nga Gjykata.

Për shkak të rikualifikimit të lëndës, është shpërbërë edhe këshilli gjykues dhe lënden e udhëheq vetëm një gjykatëse, ajo që ka qenë deri tani Fanka Jançuleva Mihailovska.

Përndryshe, në Gjykatën Penale të Shkupit, sot pritej të dëshmojnë Goran Anastasieviq dhe Bisera Zekiri, të cilët ishin propozuar nga mbrojtja, megjithatë, gjykimi filloi pikërisht me njoftimin për rikualifikim të lëndës.

Ish sekretari i Qeverisë, Muhamed Zekiri akuzohet se ka lidhur kontrata për shërbime konsulente për analizimin e situatave në postë dhe hekurudha, pa procedurë për prokurim publik dhe me këtë, sipas Prokurorisë, e ka “keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar”