Lirohet me kusht eurodeputeti, Fredi Beleri

Këtë të hënë të 2 shtatorit Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri për lirimin me kusht.

Vendimi i dha fund sagës së burgosjes së Belerit, i cili është akuzuar për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Beleri u rikthye në qelinë e Burgut të Fierit rreth orës 15:30 më 20 korrik – pas përfundimit të lejes pesë ditore që iu mundësua nga autoritetet shqiptare.

Kjo pasi ai u betua në Parlamentin Evropian si eurodeputet i Greqisë.

Në një prononcim për mediat para se të rikthehej në qelinë e tij, Beleri kërkoi lirimin me kusht, teksa pritet vendimi nga Gjykata e Fierit.

Ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës zhvilloi një sërë takimesh me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis dhe figura të tjera të politikës greke.

Ai e konsideron dënimin për blerje votash si të padrejtë dhe ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Për Belerin, Himara do të jetë pjesë e Shqipërisë evropiane.

Vendimi
Më 25 qershor Apeli i GJKKO-së vendosi dy vjet burg për Fredi Belerin, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm që e shpall fajtor për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit 2023.

Më 16 prill ndërkaq, u zbardh vendimi i arsyetuar për dënimin e kryebashkiakut, ku argumentohet se korrupsioni zgjedhor në rastin e tij është i faktuar.

Avokatët e Belerit në çështje pretendojnë se Arsen Rama, i infiltruari i Policisë, nuk ndodhej në territorin e Himarës, kur pretendohet se ka pasur takime me Fredi Belerin, takime gjatë të cilave është regjistruar audio dhe video, si dhe është fotografuar.

Mirëpo Gjykata, në vendimin e arsyetuar, e thekson se Rama ndodhej në qytetin e Himarës më datë 10-11-12 maj, kur janë zhvilluar takimet me të pandehurit Beleri dhe Kokaveshi dhe ndaj pretendimi i mbrojtjes nuk qëndron.

“Referuar të dhënave të tabulateve të numrit në përdorim të shtetasit Arsen Rama, rezulton se në takimet e zhvilluara me të pandehurit, përkatësisht me datën 10 maj 2023 ora 08:40 deri në orën 08:48, ora 20:20 deri në orën 20:24 shtetasi Arsen Rama rezulton i loguar në territorin e Himarës dhe jo në ndonjë qytet tjetër”, arsyeton gjykata në mënyrë të zgjatur.

Më tej, arsyetimi ndalet edhe te regjistrimi audio dhe video i bisedave mes të pandehurve dhe te infiltruarit të policisë, ku gjykata shpjegon se avokatët nuk kanë ngritur asnjë pretendim për përmbajtjen e tyre dhe nuk kanë kërkuar dëgjimin e bisedave në seancë.

“Sa i përket pretendimeve në lidhje me kqyrjen e pamjeve filmike, fotografike, ritraskiptimin e veprimeve të përgjimeve të pretenduara si të kryera në shkelje me ligjin, gjykata vlerëson se ky pretendim nuk është i pabazuar në ligj”, përmendet në vendim.

Më tej, thuhet se në çdo rast palët, edhe gjatë gjykimit në themel, mund të dëgjojnë në seancë gjyqësore përgjimet për të cilat kanë pretendime.

Mbrojtësit e të pandehurve të pyetur nga gjykata në seancën e shqyrtimit të provave shkresore, nëse kishin pretendime mbi përmbajtjen e përgjimeve dhe nëse donin të dëgjonin materialian audio-video, kanë deklaruar se nuk kanë pretendime mbi përmbajtjen dhe nuk dëshironin ta dëgjonin këtë material.

Gjykata thotë po ashtu se krijoi bindjen bazuar në prova e fakte, siç janë përgjimet audio dhe video mes të pandehurve me të infiltruarin, ekspertimi i telefonit të Arsen Ramës, si dhe rrëfimet e dëshmitarëve se Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi e kanë kryer veprën penale të korrupsionit zgjedhor.