Media shtetërore siriane thotë se janë liruar 42 persona, që ishin mbajtur peng për vite të tëra nga kryengritësit që kanë lidhje me al-Kaidën.
Lirimi i tyre thuhet se është bërë si pjesë e një marrëveshjeje për dorëzimin e kontrollit të territoreve përreth Damaskut tek autoritetet qeveritare.
Televizioni Al-Ikhabariya ka treguar imazhe, ku shihen gra dhe fëmijë duke arritur me një autobus për në zonat e kontrolluara nga Qeveria.
Mediat siriane thonë se ky është grupi i parë i personave të liruar nga 80 pengje sa janë gjithsej.
Sipas marrëveshjes, luftëtarët që kanë lidhje me al-Kaidën do të evakuohen nga zonat përreth kampit të refugjatëve palestinezë që gjendet në afërsi të Damaskut, ndërkaq rreth 5 mijë persona që gjenden në dy fshatrat e kontrolluara nga kryengritësit, do të lejohen të largohen për në zonat e kontrolluara nga Qeveria siriane.