Liqeni i Treskës vihet në funksion

Në muajin qershor priten turistët e parë në Liqenin Treska pas rreth 20 vitesh lënie në harresë dhe mos funksionim të kësaj qendre të dikurshme rekreative. Kështu paralajmëroi sekretari i Komunës së Sarajit Xhelal Jakupi.

Sipas tij javën e ardhshme pritet të testohet edhe cilësia e ujit dhe të jepet leja përkatëse për freskimin e qytetarëve në Liqen.

Shërbimet gjegjëse në Komunën e Sarajit do të bëjnë ekspertizën ne ujit te Enti për shëndet publik dhe besoj se brenda javës së ardhshme do të kemi mendimin e tyre por gjithsesi do të jetë pozitiv. Deri tash janë bërë disa punë, janë bërë gropat sanitare që kanë qenë jofunksionale, gypat e ujit janë meremetuar aty ka kanë qenë të prishur, në fazë janë meremetimi i tualeteve dhe kabinave për veshje, pastaj një punë e rëndësishme që është duke u bërë dhe që po e shihni është ndriçimi i këtij objekti të madh. Besojmë se në muajin qershor do të jemi të gatshëm për pranimin e turistëve – deklaroi Xhelal Jakupi, sekretar i Komunës Saraj.

Banorët që shpesh frekuentojnë këtë vend thonë se ishte koha e fundit që autoritetet të punojnë për ringjalljen e kësaj qendre rekreative.

“Qind për qind që do të ketë më shumë njerëz, prej tash shihet që ka lëvizje më shumë. Duhet të punohet më tepër, për momentin tash kanë mbet tush kabinat gati kanë përfunduar të tjerat edhe kultura jonë të jetë në nivel se ka raste kur vijnë, hanë ushqim dhe ashtu e lënë”.

“Tash janë duke e bë ndriçimin rrugor këtu, po e shohim çdo ditë ka turistë, po shohim se ka rregullime dhe shpresojmë që do të ketë më shumë turistë. Ky vend është shumë i mirë për ne banorët e komunës së Sarajit”.

Liqeni artificial Treska është liqeni më i madh në Maqedoni i cili u ndërtua në vitin 1978. Bashkë me hapësirat gjelbëruese përreth kap sipërfaqe prej 458 mijë metra katrorë, ndërsa vetëm ujë kap sipërfaqe prej 131 mijë metër katrorë.