Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) e ka mundur Agjencinë Serbe të Inteligjencës (BIA) në veri të vendit.
Ai ka thënë se shërbimi inteligjent i Kosovës ka qenë në dijeni për lëvizjet e grupit terrorist dhe stërvitjet e tyre.
“Shërbimi i Inteligjencës së Kosovës e ka mundur BIA-në dhe UDB-ën… Shërbimet tona kanë pasur informacione për lëvizjet e tyre, për stërvitjet e tyre. Një javë më parë, nëse e shihni deklaratën e Escobarit – Vuçiqit ‘të mos ta destabilizojë situatën’. Kjo ka qenë e qartë, është ditë se diçka po lëvizë atje. Informacione kemi pasur si siguri shtëtërore, si AKI, si inteligjencë e Policisë. Momenti se kur dhe ku do të vendosen është diçka që nuk mundesh më e përcjellë. Nuk është rastësisht që institucionet tona kanë qenë të përgatitura. Përndryshe, Njësia Speciale ka qenë e përgatitur”, ka thënë Limaj në emisionin “context” në ATV, transmeton KosovaPress.
Në orët e para të së dielës së 24 shtatorit, një grup terroristësh sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin Afrim Bunjaku, ndërsa plagosi dy policë të tjerë. Ndërsa në mesin e terroristëve mbeten të vrarë 3 prej tyre.
Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh në Manastirin e Banjskës ku terroristët u strehuan.
Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. Radojçiq është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.