Ligji për shtetësi kalon sot në Qeveri, dorëzohet në Kuvend me “flamur evropian”

Ndryshimet e Ligjit të Shtetësisë të propozuara nga koalicioni Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët pritet të dërgohen sot në Qeveri. Mediat mësojnë nga Ekzekutivi, Ligji do të dërgohet në Kuvend me “flamur evropian”, duke anashkaluar pengesat e paralajmëruara nga opozita maqedonase. Këtë veprim e paralajmëroi ditë më parë deputetja nga radhët e koalicionit Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, Ilire Dauti.

Ilire Dauti, ASH – AAA: “
Patjetër që do ketë Plan B, dhe unë mendoj që kemi arritur në atë fazë. Do të duhet të marrim një vendim dhe të kalohet në planin tjetër sepse Ligji duhet të kalojë patjetër”.
Dauti theksoi se dërgimi i Ligjit me “flamur evropian” u bë e domosdoshme pas bllokadave të vazhdueshme të vendosura nga partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE dhe nga partia E Majta.

Kryeministri Zoran Zaev nga mesi i muajit të kaluar deklaroi se ishin angazhuar për ta vërtetuar nëse Ligji i Shtetësisë ishte ose jo në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian, duke shpejguar se nëse gjithçka ishte në rregull Ligji do të dërgohet për votim në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.
Koalicioni i partive opozitare shqiptare e ndërmori nismën për ndryshime në Ligjin e Shtetësisë duke synuar që të zgjidhet problemi shumëvjeçar i mijëra qytetarëve kryesisht shqiptarë. Kjo çështje mori një kthesë pozitive në fillim të muaj maj kur koalicioni arriti një marrëveshje me kryeministrin Zoran Zaev rreth tekstit të Propozim Ligjit për Shtetësi.