Ligji për Prokurorinë Publike, përpjekje për ta sjellë në minutën e fundit


Kanë mbetur edhe tre ditë deri në shpërbërjen e Kuvendit.

Qeveria po përpiqet që në momentin e fundit ta sjellë ligjin për prokurorinë publike, i cili ka hasur në shumë kundërshtime të opozitares VMRO-DPMNE.

Pritet që sonte qeveria ta përmbyllë tekstin final që më pas me flamur evropian ta nisë në Kuvend për debat, i cili duhet të zgjasë tre ditë, aq sa edhe i kanë mbetur parlamentit deri në shpërbërje.

Ish-kryeministri Zoran Zaev nuk është i sigurt nëse do të arrijë 80 deputetë që do ta votojnë ligjin.

“Bëjmë gjithçka që Kuvendi të punojë me përbërje të plotë që të jenë të gjithë këtu që të mundemi të presim më shumë se 80 deputetë, ose minimumi 2/3 të jetë siguruar për këtë ligj. Nëse më pyesni a i kemi numrat, nuk mund të them, s’mundem sepse sot të gjithë do ta shohin versionin final të ligjit, ku janë përfshirë edhe propozimet e grupeve parlamentare dhe ën përputhje me këtë do të deklarohen. Kemi debat 3 ditor, besoj se deputeti Artan Grubi që nga e hëna do ta thërrasë debatin që të mund të diskutohet për ligjin”, tha Zaev.

Kreu socialdemokrat i bërë thirrje rivalit të tij politik Hristijan Mickoskit dhe opozitares VMRO-DPMNE për mbështetje, për shkak se siç tha, në tekst është përfshirë gjithçka që opozitarët e kanë kërkuar, por VMRO-DPMNE-së nuk i duket kështu.

“Siç tha Zoran Zaev në lidhje me ligjin për Prokurorinë Publike, se qenkan plotësuar të gjitha. Mendoj se as ai vetë nuk beson në këtë. Është mjaft e ditur nga opinioni përmes deklaratave tona se nuk janë plotësuar të gjithë kërkesat që i kemi kërkuar në bisedime, respektivisht vërejtjet tona që i kemi dorëzuar në lidhje me ligjin për Prokurorinë. Po të ishin plotësuar të gjitha kërkesat deri më tani do të kishim ligj funksional për prokurorinë dhe një pjesë e madhe e zyrtarëve të LSDM-së me shumë gjasa do të ishin në gjyqe për t’u përgjigjur për krimet”, deklaroi Dimçe Arsovski.

Kreu i DPMNE-së Mickoski ka propozuar që përpilimi të bëhet me ekspertë të fushës, kështu që siç u shpreh zëdhënësi Arsovski, tani i mbetet në dorë Zaevit nëse dëshiron të sjellë ligj që mos të pengohen proceset integruese ose të mundohet ta dhunojë demokracinë me ligjin aktual.

Megjithatë Zaev sot sërish përmendi që shpërbërja e Kuvendit mund të shtyhet në rast se dikush përpiqet ta bllokojë ndonjë zgjidhje ligjore, siç mund të jetë dorëzimi i amendamenteve nga DPME-ja, gjë për të cilën Zaevi tha se janë marrë vesh që të mos ndodhë.