Ligji për nënshtetësi, ASH-ja paralajmëroi bllokim të Kuvendit

Çështja e ligjit për nënshtetësi vazhdon të jetë debat i nxehtë në RMV. Aleanca për Shqiptarët shprehet se nëse ky ligj nuk gjen zbatim do të bllokojnë legjislativin, nga ana tjetër kreu i BDI-së tha se problemi me marrjen e shtetësisë nuk është i pazgjidhshëm dhe se është e konsumuar nëpër të gjitha institucionet.
Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët tha se e interesim të madh e ndjekin problematikën me nënshtetësitë dhe se do të veprojnë siç do të kërkojë momenti.

“Edhe vetë kryeministri tha se numri i tyre është shumë i madh, 20 mijë qytetarë janë bllokuar në sirtarët e Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK). ASK-ja në asnjë moment nuk është kompetente t’i hetojë ata persona të cilët do të parashtrojnë kërkesë për nënshtetësi sipas dispozitës kalimtare. Ajo dispozitë është shumë e qartë – në të qëndron se të gjithë personat të cilët kanë jetuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut para 8 shtatorit 1991 mund të marrin nënshtetësi vetëm me një nga dokumentet nga lista e cila përbëhet nga 16 dokumente”, tha Dauti.

Nga ana tjetër, Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së u shpreh se është i njoftuar me çështjen e bllokimit të kërkesave për nënshtetësi nga ana e ASK-së dhe se kuadrot nga kjo parti janë të angazhuar në zgjidhjen e këtij problem.

“Janë rreth 3.000 njerëz në pritje për nënshtetësi, të cilët për arsye të panjohura për ne, akoma nuk e kanë fituar të drejtën legjitime të kenë nënshtetësi. Jemi në zhvillim të kësaj situate dhe shpresoj që të ketë një epilog”, deklaroi Ahmeti.
Ndryshe, drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski brenda një jave pritet të jep raport para kryeministrit Kovaçevski për kërkesat e shtetësisë të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje me vite të tëra.