Liga Arabe i reagon ashpër Kosovës për vendimin e hapjes së ambasadës në Jeruzalem

Liga Arabe nuk i është gëzuar aspak vendimit për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Sekretari Gjeneral i Ligës Arabe, Aboul Gheit citohet të ketë thënë se vendimi për hapjen e ambasadës në Jeruzalem është përulje e legjitimitetit dhe përbën një shkelje të ligjeve ndërkombëtare, transmeton lajmi.net.

Kjo për shkakun se sipas tij, Jeruzalemi cilësohet si territor i okupuar dhe përbën ndalesë për vendosjen e ambasadës aty. Gheit tutje citohet të ketë thënë se fakti se Kosova do të hapë një ambasadë aty nuk e ndryshon faktin se ky territor sipas tij është i okupuar dhe se zgjidhja përfundimtare mund të arrihet vetëm përmes negociatave.

Ndryshe, Kosova dhe Izraeli nënshkruan dje vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me njëra tjetrën, marrëveshje kjo që nënkupton se Kosova pajtohet që të hap ambasadën e saj në Jeruzalem, territor ky i kontestuar mes Palestinës dhe Izraelit.