Liderët e partive politike në takim tek presidenti i shtetit

Liderët e partive politike do të takohen sot në mesditë tek presidenti i shtetit, për të diskutuar rreth datës eventuale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në tetor të vitit të kaluar, ato ishin caktuar për më 12 prill, por u shtynë me një dekret të qeverisë për shkak të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe rrezikut nga përhapja e koronavirusit. Të gjithë liderët e ftuar e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e ri të sotëm në Villa Vodno.

Siç komunikoi Zyra e Presidentit, në takim janë ftuar liderët e LSDM-së, Zoran Zaev, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, BDI-së, Ali Ahmeti, Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, Alternativës, Afrim Gashi, Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, si dhe kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi dhe kryeministri Oliver Spasovski.