Liburn Aliu deklaron se i ka blerë dy banesa në “Marigona Hill”

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Në pronësi të tij, Aliu ka deklaruar një arë me 762 metra katrorë, të cilën thotë e ka trashëguar në vitin 2004, ndërsa vlera e saj është 15 mijë euro.

Ai ka deklaruar se posedon një veturë të tipit “Volkswagen”, të cilën e ka ndërruar me veturën paraprake në vitin 2022. Vlera e saj është 4 mijë e 200 euro.

Aliu ka deklaruar se ka detyrime financiare ndaj “Marigona Hill” për shkak të dy banesave që i ka blerë në këtë lagje luksoze.

Në formularin për deklarimin e pasurisë, Aliu ka thënë se vlera fillestare e detyrimeve financiare ndaj “Marigona Hill” – për banesën e blerë në vitin 2019 – ka qenë 64 mijë euro, ndërsa vlera e mbetur 23 mijë euro. Kohëzgjatja e këtij detyrimi financiar është 54 muaj, dhe e ka dekalruar në emër të prindërve.

Për banesën tjetër në këtë lagje të blerë në vitin 2020, Aliu ka deklaruar detyrime financiare fillestare 103 mijë euro, vlerë të mbetur 58 mijë euro. Kjo kredi është e përbashkët.