Marshimi i krenarisë i komunitetit LGBT (lezbike, homoseksual, biseksual dhe transeksual) në Stamboll do të mbahet të dielën, edhe pse qeveria e qytetit turk e ndaloi atë, për shkaqe sigurie.
Në një deklaratë të botuar në faqen e Facebook të LGBTI-së së Stambollit, organizatorët thanë se vendimi për ndalimin e marshimit ishte diskriminues dhe i paligjshëm.
“Ky marsh organizohet për të luftuar kundër dhunës dhe diskriminimit të nxitur nga vendimi i qeverisë. Ne duam të informonim shtypin dhe publikun se do të vazhdojmë me marshimin tonë krenar, me të njëjtën ambicie si më parë”, thanë organizatorët.
Paradat e krenarisë të LGBT-së janë ndaluar në Stamboll për tre vitet e fundit. Megjithëse homoseksualiteti nuk është një krim në Turqi, ndryshe nga shumë vende të tjera me shumicë myslimane, ka armiqësi të gjerë në të gjithë shoqërinë turke.
Të enjten, autoritetet në kryeqytetin turk, Ankara, ndaluan shfaqjen e filmit Pride, një komedi dramë e vitit 2014, me tema LGBT, duke përmendur rreziqet për sigurinë publike.
Liritë civile në Turqi janë bërë një shqetësim i veçantë për Perëndimin, veçanërisht pas aksioneve që ndërmori qeveria, në kundërpërgjigje të grushtit të dështuar të shtetit, në korrik të 2016-ës.
“Turqia ka arrestuar rreth 160,000 njerëz dhe ka shkarkuar gati të njëjtin numër të punonjësve të administratës shtetërore, që prej përpjekjes së grushtit të shtetit” raportuan në mars në Kombet e Bashkuara.