Lëvizja Ilirida: Vetëm federalizimi është zgjidhje për Maqedoninë

Lëvizja Ilirida që synon regjistrimin e saj si parti politike për të marrë pjesë edhe në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut ka shpalosur përmes anëtarëve të saj edhe synimet e saj politike për federalizimin e Maqedonisë së Veriut.
Krerët e saj thonë se riafirmojnë dëshirën dhe vullnetin e shqiptarëve që buron nga viti 1992 përmes Referendumit për Autonomi të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Më tej thuhet se është koha e fundit që të bëhen përpjekje për ndryshimin e statusit të shqiptarëve në RMV dhe të ketë qeverisje autonome të shqiptarëve. Si theks I vecantë I kësaj Lëvizje do të jetë opsioni i federalizimit, që do shpie drejt përmbushjes së detyrimeve që dalin nga Referendumi për Iliridën.
Ja platforma më poshtë e publikuar përmes rrjeteve sociale:

FEDERALIZIMI I MAQEDONISË – Pozita e shqiptarëve në Maqedoni mund të zgjidhet edhe duke ua mundësuar atyre statusin e popullit shtetformues, që mund të realizohet nëpërmjet federalizmit të saj.
Për të qenë shqiptarët popull shtetformues, nevojitet që Maqedonia të përkufizohet me kushtetutë si vend i dy popujve: i popullit shqiptar dhe i popullit maqedonas. Me këtë nënkuptohet që:

Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në tërë territorin e vendit;
Gjuha shqipe të përdoret gjatë komunikimit ndërkombëtar;
Simbolet e shtetit, d.m.th. flamuri, himni dhe stema – t’i përmbajnë në vete vlerat historike, politike dhe kulturore të të dy popujve;

Kuvendi i shtetit të përbëhet prej dy dhomave: dhomës së bashkësive etnike; dhe dhomës së qytetarëve;
Në dhomën e bashkësive etnike, të gjitha ligjet të miratohen sipas parimit të konsensusit. Me fjalë të tjera, secila nga bashkësitë etnike të ketë të drejtën e vetos;
Kontributi në krijimin e buxhetit të shtetit të jetë në përputhje me potencialin demografik dhe ekonomik të të dyja bashkësive etnike;
Ndarja e buxhetit të shtetit të bëhet në përputhje me përqindjen e popullsisë të bashkësisë etnike shqiptare;

Decentralizimi i pushtetit qendror dhe subjektiviteti politik, ekonomik dhe kulturor i bashkësive etnike në shkallë vendore.
Në nivel vendor, të dyja bashkësitë etnike – shqiptarët dhe maqedonasit – krahas simboleve shtetërore të përbashkëta, do të kishin të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare të veta – flamujve kombëtarë, të himneve kombëtare dhe të stemave kombëtare.

Zgjidhjet e mësipërme nënkuptojnë federalizmin e Maqedonisë. Në Maqedoninë federale shqiptarët do të ishin faktor politik vendimmarrës në nivel qendror.
Federalizimi i një shteti, në rastin konkret i Maqedonisë, nuk nënkupton me domosdoshmëri edhe krijimin e kufijve të brendshëm. Ka shtete federale me kufij të brendshëm, por ka edhe të shtete që nuk kanë kufij të tillë.
Shtete federale, përkatësisht konfederale nuk janë vetëm Belgjika apo Zvicra. Të tillë shtete kemi edhe në rajon. Bosnja dhe Hercegovina për shembull, përbëhet prej dy entiteteve dhe tre popujve konstitutivë. Entitete janë: Federata Myslimano-Kroate, me 51% të territorit të përgjithshëm dhe Republika Serbe, me 49% të tij.

Popuj konstitutivë janë: boshnjakët (muslimanët) – me 44% të popullsisë së përgjithshme, serbët – me 33% dhe kroatët – me 17%. Janë edhe do minoritete – 6% (këto të dhëna të vitit 1992 përputhen 99% me të dhënat e vitit 2008). Të tria gjuhët, d.m.th. boshnjakishtja, serbishtja dhe kroatishtja janë zyrtare. Duhet shtuar se politika zyrtare serbe, kombin boshnjak dhe gjuhën boshnjake e njeh vetëm përballë ndërkombëtarëve. Përndryshe shkolla serbe nuk njeh komb dhe gjuhë boshnjake.

Me fjalë të tjera, Bosnja dhe Hercegovina përbëhet prej dy njësive politiko-territoriale dhe prej tre popujve shtetformues. Derisa serbët kanë entitet të veçantë, muslimanët dhe kroatët kanë entitet të përbashkët. Edhe kroatët duan entitetin (territorin) e vet, ndaj me zgjidhjen e Dejtonit nuk janë të kënaqur.
Uashingtoni dhe Berlini duket sikur i thonë Zagrebit: Me ndihmën e “Stuhisë” i dhamë fund separatizmit serb në Kroaci. Rrjedhimisht, kroatët në BH duhet të pajtohen me zgjidhjen e Dejtonit”.