Lëvizja Besa shpalosi disa propozime në lidhje me funksionimin e tryezës së partive parlamentare shqiptare

Lëvizja Besa si një nga pesë partitë shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, vlerësoi se tryeza e partive parlamentare shqiptare është një instrument i fuqishëm që duhet të jetësohet.
“Lëvizja BESA është e interesuar që së bashku me partitë tjera parlamentare shqiptare të jetësoj tryezën e partive parlamentare shqiptare dhe në këtë funksion e ofron gjithë infrastrukturën politike dhe partiake”, zotohen nga Lëvizja Besa.

LB-ja propozoi gjithashtu që gjithë partitë shqiptare parlamentare që nuk janë nënshkruar deri më tani në Deklaratën e theksuar, të nënshkruhen.
“Në komunikim mes partive parlamentare shqiptare të përcaktohet agjenda e takimit të radhës si dhe koha dhe vendi i takimit”, ishte propozimi i dytë i LB-së.

Në komunikatën e kësaj partie u rekomandua që kjo tryezë të mbahet rregullisht pas themelimit të qeverisë së re dhe para përfundimit të mandatit qeverisës për të diskutuar rreth realizimit të çështjeve në interes të shqiptarëve.
Ndryshe, Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot e ka publikuar agjendën e Tryezës të caktuar për nesër (13 gusht), pas përgjigjes pozitive të marrë nga kryetarët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alterantivës, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, të cilët mes tjerash kërkuan që të njoftohen detajet e takimit, por dhe të prolongohet takimi prej të hënës. Ahmeti, duke njoftuar për agjendën, i ka ftuar sërish për takimin e nesërm, duke mos përjashtuar edhe takime të ardhshme.

Nga Koalicioni “Tash është koha”, paraprakisht kërkuan datë tjetër për takim edhe atë duke nisur nga dita e hënë (17.08.2020) e tutje.
Kryetari i BDI-së ka ftuar të gjithë partitë parlamentare shqiptare. Madje edhe Lëvizjen BESA, e cila është në koalicion me Zoran Zaevin, i cili këtë takim e vlerësoi si trysni ndaj tij për të pranuar kryeministrin shqiptar.
Nga ana tjetër, rrjedhin afatet për formimin e shumicës së re parlamentare dhe Qeverisë së re, për shkak të së cilës negociatat midis partive politike që fituan vende parlamentare po zhvillohen me një ritëm të përshpejtuar. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik, përbërja e re parlamentare u konstituua më 4 gusht dhe filloi afati 10-ditor për formimin e shumicës parlamentare, pas së cilës Presidenti duhet të japë mandatin për të formuar Qeverinë. Mandatari, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, dorëzon program në Kuvend dhe propozon formim të Qeverisë.
Në zgjedhjet e 15 korrikut, Koalicioni “Mundemi” ka fituar 46 deputetë, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Aleanca për Shqiptarët & Alternativa 12, E majta 2 dhe PDSH 1.