Lëvizja BESA: Rasti i “Vanjës” pohon se qytetarët janë totalisht të pasigurt nga shteti!

Krimi po vlon, ndërsa qytetarët janë totalisht të pasigurt nga shteti. Ata madje thonë se “ka ardhur koha që sigurinë për vete dhe familjarët e tyre ta marin vetë në dorë”.

I gjithë ky mllef i qytetarëve dhe e gjithë kjo pasiguri, rritet edhe më shumë pas rastit të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska, e cila, u gjet e pajetë, një javë pas zhdukjes! Familjarët dhe të afërmit, qëndruan në ankth dhe shpresë se ajo do të kthehej e gjallë.

Por policia dështoi. Derisa kriminelëve iu deshën vetëm disa sekonda për ta grabitur dhe ta vrasin, policisë i duhej një javë kohë që në fund ta gjejë të vdekur. Po ashtu u gjet edhe një trup i pajetë i 74 vjeçarit nga Velesi, i cili po ashtu dyshohet se është vrarë nga grupi i njëjtë kriminel, i cili në Shkup vepron për një kohë më të gjatë.

Kjo e nxjerr në pah të vërtetën se Maqedonia e Veriut është shndërruar në fushë krimi dhe fole të kriminelëve, të cilët zhvasin, grabisin dhe vrasin qytetarët, por pasurojnë pushtetarët. Vetëm në muajt e fundit, kishim disa herë gjuajtje dhe plagosje në vende publike dhe qendëra tregtare, droga qarkullon në çdo lokal dhe nëpër shkolla të mesme ndërsa numri i kriminelëve rritet. Por ndëshkimi dhe përgjegjësia për ta nuk ekziston. Është më se e qartë se nëse funksionarë të pushtetit, e sidomos të policisë nuk do të bashkëpunonin me kriminelët, krimi nuk do ti arrinte këto përmasa.

Andaj skandalet dhe krimet që shfaqen çdo ditë vetëm heshten dhe neglizhohen po ashtu nga pushteti, duke filluar prej tek kryeministri, ministri i brendshëm e deri tek funksionari më i vogël. Pas gjithë kësaj nëse ministri Oliver Spasovski, zv/ministri Nazim Bushi, kanë vetëm pak ndërgjegje dhe pak moral atëherë duhet urgjentisht të japin dorëheqje.

Në të kundërtën jemi të sigurtë se krimi do të rritet, pasiguria e qytetarëve do të jetë edhe më e madhe, ndërsa vendi rrezikon të kalojë në anarki ku çdo qytetar vetë do të kujdeset për sigurinë e tij dhe fëmijëve të tij.