Lëvizja BESA: Edhe pas zgjerimit – Qeveria në këmbë të qelqta


Jo më larg se mbrëmë, nënkryetari i LSDM-së, Stefan Bogoev edhe një herë, e për të disatën herë e përsëriti kërkesën e tij drejtuar Lëvizjes BESA për t`iu bashkuar kësaj Qeverie. Dhe kjo ftesë, si duket Lëvizjes BESA i bëhet, gjithnjë kur Qeveria e kupton se edhe përkundër zgjerimit ajo rrinë në këmbë të qelqta.
I bëjmë me dije LSDM-së së, Lëvizja BESA, është parti e dalë nga populli, me ideal, me koncept dhe moral të fortë, andaj po ua themi troç se, Lëvizja BESA, nuk shet interesat e popullit për një apo dy kolltuqe, sepse pikërisht ky popull na e dha besimin e tij dhe po na rrit dita ditës.

Është shumë e turpshme të vazhdosh të flasësh për këtë Qeveri, dhe funksionimin e saj, kur brenda vetëm pak minutash, ju vetë e demantuat veten, duke u shprehur në të njëjtin emision se, po ju citojmë “Gjyqësori është në situatë alarmante, ndërsa shpresoni në vetingun si nismë për rregullimin e tij”.
Në cilin veting shpresoni, atë që e proklamoni bashkë me BDI-në e tani edhe me ASH-në dhe asnjëherë nuk e filluat?

Për cilin veting në gjyqësor flisni, dhe kënd do e lustroni në gjyqësor, ata që ju vetë i vendosët nëpër ato kolltukë, vetëm e vetëm për të shpëtuar veten tuaj, BDI-në dhe Aleancën nga keqpërdorimet që keni bërë, nga korrupsioni i cili po lulëzon? Për cilin veting flisni, kur para vetëm dy muajsh, departamenti Amerikan i shtetit duke parë pa aftësinë tuaj për tu marrë me korrupsionin në shtet, dërgoi njerëz të vetë për ta bërë këtë. Apo këtë thirrje e bëni me qëllim që ta ndani turpin që ju pret nga raporti mbi korrupsionin.

Nëse doni që Lëvizja BESA të jetë pjesë e Qeverisë, atëherë shpallni zgjedhjet e parakohshme sa më parë dhe shpëtoni shtetin që e keni katandisur dhe zhytur në krim e korrupsion. Ftesat e kryeministrit të njëpasnjëshme drejtuar Lëvizjes BESA shpreh qartazi se kjo qeveri nuk ka shumicë stabile dhe se në çdo moment pritet që numrat të bien.

Lëvizja BESA

03.03.2023