Lëvizja Besa: “Bisedimet për Këshillin e Tetovës, pas seancës konstituive”

Pasi Lëvizja BESA fitoi numrin më të madh të këshilltarëve në Tetovë, pason formimi i shumicës në Këshill.
Nga partia e Bilall Kasamit nuk zbardhin detaje nëse kanë filluar bisedimet me partitë e tjera për koalicionim. Zëdhënësi i Partisë, Faruk Avdiu thotë se këto ditë pritet të bëhet konstituimi i Këshillit Komunal e më pas do të bisedohet për koalicionime për shumicë.

“Presim të fillojë procesi i konstituimit të përbërjes së re të Këshillit komunal. Pastaj shumë shpejtë do të ketë edhe rrumbullakësim i procesit të krijimit të shumicës së re. Ne si Lëvizja BESA bëjmë përpjekje për një shumicë stabile e cila do t’i përkrah projektet të cilat vetëm se kanë filluar dhe ato projekte të cilat ne i kemi premtuar në fushatë zgjedhore”, deklaroi Faruk Avdiu, Lëvizja BESA.

Por nga VMRO-DPMNE, e cila fitoi më shumë këshilltarë nga partitë maqedonase, thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Lëvizjen BESA me qëllim rregullimin e kaosit të shkaktuar nga ish-kryetarët e komunës.

“Po, në mënyrë konstante ka bisedime dhe bashkëpunim në mes BESËS dhe VMRO-DPMNE-së në nivel lokal në Komunën e Tetovë. Bashkëpunimi jonë vazhdon edhe më tej për shkak se bazohet në qëllime për zhvillim të Komunës së Tetovës dhe sanimin e kaosit të cilin e kishin shkaktuar autoritetet paraprake që kanë udhëhequr me komunën”, tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

Nëse Lëvizja BESA dhe VMRO-DPMNE do të arrijnë marrëveshje për koalicionim kanë numër të mjaftueshëm të këshilltarëve për të formuar shumicë në Këshillin Komunal në Tetovë, pasi bashkërisht do të kenë 16 mandate, nga gjithsej 31 sa ka këshilli komunal. Në zgjedhjet për Këshillin Komunal në Komunën e Tetovës, të cilat u mbajtën më 20 gusht, Lëvizja BESA fitoi më shumë këshilltarë dhe atë 12, BDI fitoi 11 këshilltarë, VMRO-DPMNE 4, LSDM 2, ndërsa PDSH dhe Alternativa nga një këshilltar. Aleanca për Shqiptarët, lista “Më Mirë për Tetovën dhe Partia “e Majta” nuk arritën të marrin vota të mjaftueshme për të siguruar mandate në këshillin komunal./Alsat.mk