Lëvizja Anti bixhoz ndjehet e tradhtuar, paralajmëron protesta në ditën kur fillon kampanja (VIDEO)

Lëvizja Anti-bixhoz ka paralajmëruar protesta në ditën e fillimit të fushatës parazgjedhore për të shprehur revoltën kundër kazinove dhe bastoreve në afërsi të vendbanimeve.

Protestat do të fillojnë me bllokimin e autostradës Tetovë- Shkup, në pikë pagesën në fshatin Zhelinë, që më pastaj të vazhdojnë edhe me protesta të radhës në qytetin e Shkupit.

Lëvizja Anti-bixhoz ka akuzuar VMRO-në dhe LSDM-në për mospërkrahje në miratimin e ligjit për dislokimin e lojërave të fatit.

Ndërkohë kanë ftuar në takim të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim që të zotohen se si kusht për formimin e qeverisë së ardhshme ta kenë dislokimin e kazinove tre kilometra nga vendbanimet.

“Nga sot të gjitha subjekteve politike iu bëjmë thirrje publike për takim me Lëvizjen Anti bixhoz që të marrim zotim nga ta, se në programin zgjedhor do e kenë prioritet Ligjin për lojërat e fatit. Dhe premtim për kushtëzim nga ana e partive shqiptare për formimin e Qeverisë së ardhshme me Ligjin për lojërat e fatit.

Ditën që fillon kampanja parazgjedhore, Lëvizja Anti bixhoz iu bën thirrje qytetarëve dhe shoqatave civile se më datë 23 mars 2020, në ora 10:00 do bllokoj pikë-pagesën në autostradën Tetovë Shkup, afër fshatit Zhelinë”, deklaroi Zeqirja Aliti, Lëvizja Anti-bixhoz.