Letra për Elona Agollin, Helena Kadare!

Shkrimtarja Helena Kadare,  bashkëshorte e shkrimtarit Ismail Kadare, i ka dërguar një letër të ndjerë Elona Agollit, vajzës së Dritëro Agollit, pas ndarjes nga jeta  të nënës së saj Sadijes. Në të, Helena kujton kohët e rinisë kur u njoh me Sadijen që kur ishin në konvikt dhe më pas gjithë jetën me të, kur banonin në të njëjtin pallat.

LETRA
E dashur Elona,
M’u duk pak e çuditshme tani që u ula dhe shkrova në krye të kësaj letre emrin tënd. Sepse bashkë nuk kemi shkëmbyer ndonjëherë mesazhe. Ato i bëja me nënën tënde, Sadijen. Ndaj tani që po të drejtohem ty, më duket e papritur. Siç është edhe ngjarja e hidhur që sapo ka ndodhur. Sepse të gjithë njerëzit që kanë një histori të gjatë së bashku, e kanë të vështirë ta përfytyrojnë që do të vijë një çast i tillë.

Teksa të shkruaj, në mendjen time ti je përherë Elona e vogël, vajza e shoqes sime të kahershme, Sadijes, që ka disa orë që nuk është më… I shkrova këto fjalë dhe prapë më duket e pabesueshme. Ngaqë asnjëherë nuk do të mund të duket e natyrshme dhe as “e drejtë”, humbja e njeriut të afërt, edhe pse të gjithë e dimë se kjo është e pashmangshme.

I kam ndjekur si ndër ethe lajmet që më vinin nga Shqipëria, nga miqtë tanë të përbashkët, për ecurinë e gjendjes së saj. Mëngjesi i djeshëm, kur më telefonuan për të më thënë se nëna jote e dashur dhe shoqja ime ishte nisur në rrugën pa kthim, më shtangu. Nuk je vetëm ti, e dashura vajzë, që të erdhi befasishëm nisja e saj e shpejtë. Jemi shumë, gjithë miqtë e mikeshat e saj që kemi mbetur kështu, pa fjalë, nga lajmi për të. Është një rrugë që do ta bëjmë të gjithë, e megjithatë, nuk arrijmë dot ta pranojmë. Çdonjëri prej nesh është i lidhur me qindra e mijëra fije dhembshurie, mirëkuptimi, herë-herë paqartësie, por më së shumti dashurie, me krijesa të tjera që ka përreth dhe humbja e çdonjërit, bashkë me misterin e jetës, mbetet përherë e padurueshme. E papranueshme, do të thosha.

Sikurse e di, miqësia ime me nënën tënde nuk nis sot. Ajo fillon shumë vite më parë, kur të dyja, vajza të reja dhe pa përvojë, ajo me kaçurrela të zeza, unë me gërsheta, vinim nga dy qytete të largëta të Shqipërisë, për t’u ulur në bankat e Fakultetit të Letërsisë. Bashkë me leksionet, do të ndanim edhe dhomën e konviktit. Të gjitha ngjarjet, sekretet tona vajzërore, të vogla apo të mëdha, do rriheshin e do shoshiteshin në atë dhomë të përbashkët të konviktit të vajzave, ndërtesë njëkatëshe, barakë e ushtrisë italiane, siç thuhej, në hyrje të Rrugës së Elbasanit.