Letër të hapur kryeministrit Zoran Zaev për rastin ‘Alfa’

LETËR E HAPUR PËR KRYEMINISTRIN ZORAN ZAEV PËR RASTIN “ALFA”
I nderuar Kryeministër,
Ju drejtohem në këtë mënyrë, pasi e vërteta duhet të ketë sa më shumë dëshmitarë.
Vendi ynë, Maqedonia, ka kaluar nëpër kohëra të vështira. Njerëzit më me fat kan ikur nga këtu. Disa nga ata që kanë ngelur, janë vrarë, janë terrorizuar dhe janë burgosur me burgime të përjetshme, në raste të montuara nga shteti. Shumica e tyre janë shqiptarë.
Kur e filluat projektin “E vërteta për Maqedoninë”, të gjithë u bindën në çmendurinë e atyre që na udhëhiqnin atëkohë. Qytetarët, pa dallim moshe, përkatësie etnike e partiake, e përkrahën fuqishëm shpresën për liri dhe barazi.
Më pas vijuan “Revolucioni laraman”, Prokuroria Speciale dhe “Jetë për të gjithë në Maqedoni”. Ideja juaj për një shoqëri për të gjithë, me liri, drejtësi dhe barazi në të, u përkrah nga të gjithë në vend por dhe ndërkombtarisht.
Sot, rreth një vit pasi ju po udhëheqni me vendin, edhepse disa gjëra janë përmirësuar, edhe më tutje liria, drejtësia dhe barazia nuk janë në mesin tonë.
Jo që korrupsioni dhe kriminaliteti i organizuar nuk janë tepër të rëndësishme, por rastet e montuara gjyqësore, ku si pasojë njerëz të pafajshëm mund të jenë të mbyllur përjetë, janë plaga më e rëndë e shoqërisë sonë.
Një ndër këto raste, ku provat në tërësi kundërshtojnë vendimin e gjyqit, është rasti “Alfa”. Tanimë i tërë opinioni është i bindur në pafajësinë e të dënuarëve, përveç gjykatës dhe prokurorisë. Gjykatës dhe prokurorisë që i ka dënuar këta persona.
Zoti Kryeministër,
Në emër të të dënuarve të pafajshëm, në emër të qytetarëve të Maqedonisë, në emrin tim, por më së shumti në emrin e drejtësisë, JU LUTEM, mundësoni rigjykim. Nuk kërkojmë falje as mëshirë. Gjithçka kërkojmë është edhe një shansë për të përmirësuar gabimet e regjimit të kaluar. Ju lus të shfrytëzoni pozitën tuaj për të sjellë drejtësi dhe barazi për të gjithë njejtë. Për të sjellë “Jetë në Maqedoni”.
Motoja “Pa drejtësi, nuk ka paqe” akoma tingëllon në veshët tonë!
Ju faleminderit.
Liridona Vejseli, gazetare hulumtuese “Pa Censurë”