Lehtësohen masat për hyrje në Mal të Zi për qytetarët e shteteve të rajonit

Trupi kombëtar koordinues për sëmundje infektuese (NKT) i Malit të Zi mbrëmë, me propozim të Institutit për Shëndet Publik në vend, vendosi t’i lehtësojë kushtet për hyrje në Mal të Zi për qytetarët e rajonit dhe qytetarët malazezë të cilët shkurt udhëtojnë në ndonjërin prej vendeve të fqinjësisë.

Siç kumtoi Instituti, sikurse deri më tani, hyrja në Mal të Zi mundësohet pa kushte shtesë për banorët e vendeve të “listës së gjelbër”, ndërsa banorët e vendeve të “listës së verdhë” mund të hyjnë në Mal të Zi me rezultat pozitiv të testit serologjik – antitrupa të klasit lgG që e jep laboratori i regjistruar dhe jo më të vjetër se 30 ditë.

“Banorët e të gjitha vendeve të ‘listës së verdhë’, gjithashtu, mund të hyjnë në Mal të Zi me rezultat negativ të testit serologjik për klasën e antitrupave të lgM ose me rezultat negativ të testit PCR për koronavirusin e ri (SARS-CoV-2), që janë lëshuar nga laboratori i regjistruar dhe nuk janë më të vjetër se 72 orë. Kushti është personi të mos ketë qëndruar në ndonjërin prej vendeve të “listës së kuqe” në periudhë prej 15 ditësh para hyrjes në Mal të Zi, gjegjësisht në njërin prej vendeve prej të cilave nuk lejohet hyrja në Mal të Zi”, kumtoi Qeveria e Malit të Zi.

Qeveria kumtoi edhe se është lehtësuar hyrja për shtetasit malazezë dhe të huajt të cilët në mënyrë të përhershme apo të përkohshme qëndrojnë në Mal të Zi prej vendeve të rajonit, në rast se qëndrojnë në këto vende deri në 48 orë.

“Pas kthimit në Mal të Zi, këtyre personave u është shqiptuar masa për mbikëqyrje shëndetësore që nënkupton lëvizje të lirë, por ndjekje e përditshme e simptomave dhe paraqitje tek mjeku deri në skadimin e Vendimit të lëshuar nga inspeksioni sanitar pas kthimit”, kumtoi Qeveria.