Lehtësimi i masave në Maqedoni nga Covid-19 do të varet nga vendimi i sotëm i Shtabit të krizës

Numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostikuar me Kovid-19 në shtet, që nga fillimi i pandemisë arriti në 1.792, pasi që në 24 orët e kaluara, u regjistruan 30 raste të reja nga 426 testimet e bëra. Njëzet e gjashtë pacientë janë shëruar, ndërsa tre persona kanë vdekur në Klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup. Numri i rasteve të reja të të infektuarve do të varet nga relaksimi i mëtejshëm i masave restriktive.

Për vijimin e mëtutjeshëm të masave restriktive do të bisedohet nesër në takimin e shtabit të krizës, kurse lehtësimi dhe normalizimi i situatës do të varet nga zhvillimi i përhapjes së infeksionit, ndërsa vendimet si deri tani do të sillen në bazë të mendimeve të ekspertëve, gjegjësisht epidemiologëve nga Komisioni i sëmundjeve infektive, deklaroi sot kryeministri Oliver Spasovski.

“Gjëja më e rëndësishme është jo vetëm për të rivendosur masat, por edhe për të ruajtur gjendjen në këtë nivel që kemi sot, e kjo është gjendje stabile shëndetësore, në të cilën sistemi shëndetësor do të mund t’u përgjigjet situatave para nesh”, tha Spasovski.

Në pyetjen a do të ketë kufizim gjatë tërë ditës për festën e Ramazan Bajramit, kryeministri përsëriti se për të gjitha masat dëgjohet mendimi i Komisionit dhe se në bazë të kësaj sillen vendime pa marr parasysh për çfarë dite bëhet fjalë.

“Duke pasur parasysh se kemi festë të dyfishtë më 24 maj, kjo meriton vëmendje të bisedohet edhe në shtabin kryesor të krizës dhe të bisedohet në seancë të Qeverisë. Por sidoqoftë, vendimet i marrim në bazë të mendimeve të ekspertëve dhe në bazë të asaj që dorëzohet, do të sjellim vendime përkatëse dhe do ta informojmë opinionin”, shtoi Spasovski.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në Fejsbuk publikoi se 91 për qind e punonjësve shëndetësor, të cilët ishin të infektuar me Kovid-19 tani janë shëruar tërësisht.

“Ju shpreh nderime për guximin dhe përkushtimin. Të gjithë të tjerëve u dëshiroj shërim të shpejtë”, shton Filipçe në publikim.

Në një publikim tjetër, thotë ai se edhe deri në fund të javës që vijon, do të finalizohet mënyra e lëvizjes së qytetarëve dhe kalimi i kufijve me Greqinë fqinje.