Legalizimi po shkatërron Tetovën


Më 31 dhjetor përfundon afati për dorëzimin e kërkesave për legalizim të objekteve pa leje ndërtimi. Në Komunën e Tetovës, sipas informacioneve, janë parashtruar mbi 4500 kërkesa, shkruan gazeta KOHA.

“Shërbimet e Sektorit për Urbanizëm kanë procesuar gjithsej 4600 kërkesa të parashtruara të qytetarëve për objekte banesore apo afariste, dhe gjithashtu janë refuzuar përafërsisht rreth 2400 kërkesa për legalizim. Arsyeja është në kontekstin ligjor për shkak se qytetarët dhe subjektet të cilat kanë dorëzuar kërkesë për legalizim, nuk kanë parashtruar të gjithë dokumentacionin në afatin ligjor. Pra, më 31 dhjetor përfundon afati për parashtrimin e dokumentacionit për legalizim të objekteve dhe pas këtij afati, qytetarët më nuk do të mund të shfrytëzojnë këtë ligj dhe të parashtrojnë kërkesa për legalizimin e objekteve, qofshin ato banesore apo objekte afariste”, deklaroi zëdhënësi i Komunës së Tetovës, Armend Fazliu. Megjithatë, pas përfundimit të këtij procesi, nuk dihet se si do të vijohet më tej, do të rrënohen objektet që nuk janë legalizuar, apo do të ketë ligj tjetër.

Nga Komuna e Tetovës thonë se do të ndjekin instruksionet dhe vendimet nga Qeveria. “Rrënimi i objekteve duhet të ndjek një kornizë ligj zbatuese të të gjitha institucioneve, këtë konstatim do ta bëjë inspektorati administrative, inspektorati komunal i ndërtimit ose inspektorati shtetëror i ndërtimit. Me të shterur të gjithë procedurën juridike, sektori jonë i urbanizmit do të veprojë konform këtyre ligjeve dhe në qoftë se do të paraqitet ndonjë nevojë e tillë, normalisht që konform ligjit ne duhet të jemi të obliguar të veprojmë”, deklaroi Fazliu.

Nga Komuna konstatojnë se Ligji për legalizimin e objekteve pa leje ka shkatërruar qytetin e Tetovës. “Në këndvështrimin urbanisitik të qytetit, ky ligj e ka shkatërruar qytetin për shkak se ju, për shembull, nëse keni planifikuar në Planin gjeneral dhe detal ndonjë objekt me interes publik, ky ligj ju obligon si institucion që të merrni masa për legalizim të objektit të atillë dhe ju në këtë rast nuk mund të veproni. Një efekt tjetër negativ i këtij ligji është që edhe në shtretërit e lumenjve, si institucion, jemi të obliguar ta legalizojmë objektin në fjalë vetëm me një deklaratë të parashtruar nga subjekti, në këtë rast personi fizik ose subjekti juridik se në rast vërshimi, pajtohet që nuk do të kërkojë kompensim nga Qeveria e Maqedonisë. Ligji është shumë katastrofal, pasi e dimë se Tetova është ndër qytetet me objekte me më shumë objekte të ndërtuara pa leje”, pohon Fazliu.

Komuna e Tetovës në nivel shteti, para sjelljes së ligjit për legalizim të objekteve pa leje, ka qenë në krye të listës. Sipas tyre, prandaj edhe është pritur që të ketë numër enorm të kërkesave. Por ky proces ndonëse për ata qytetarë që kanë ndërtuar është i dobishëm, nga ana tjetër për zhvillimin e qytetit është i dëmshëm. Qyteti i Tetovës pas viteve të 90-ta u përfshi nga ndërtimet e shumta. Koncentrimi më i madh ishte në ndërtimin e ndërtesave shumëkatëshe sidomos në pjesën në dalje të Tetovës për në Gostivar.