LDK siguron 40 nënshkrime për mocion, po e pret Kurtin edhe pak

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur nënshkrimet për inicimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti. Partia e cila ende është pjesë e kësaj Qeverie, ka siguruar më shumë se 40 nënshkrime për të thirrur seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se këto nënshkrime do të dorëzohen sot në Kuvendin e Kosovës.

“Nënshkrimet janë të gatshme besoj që nëse nuk ka lëvizje nga kryeministri Kurti, në fund të orarit të punës do t’i dorëzojmë. Unë krejt çfarë mund të konfirmoj është se nënshkrimet janë mbledhur më shumë se sa që është e nevojshme”, deklaron Gashi për kp.

Ai nuk tregon se sa nënshkrime janë gjithsej, megjithatë thotë se një gjë e tillë do të bëhet e ditur pasdite.