LDK-së i tensionohet situata edhe nëpër Degë, shkarkohen dy zyrtarë të partisë

Kreu i Degës së LDK’së në Mitrovicë, Safet Kamberi, ka treguar së në mbledhjen e djeshme të degës kanë marrë vendim unanim për shkarkimin e dy kryetarëve të nëndegëve, Tafil Pecit dhe Bekim Mujës, shkruan Gazeta Express.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Express vetë kreu i Degës së LDK’së në Mitrovicë, Safet Kamberi.

Ai ka thënë se një shkarkim i tillë ka ardhur si pasojë e presionit nga partia, meqë Tafil Peci dhe Bekim Muja qysh në zgjedhjet e 2017-ës kishin bashkëpunuar me Agim Bahtirin në kundërshtim me vendimin e LDK’së dhe tash e dy vjet mbajnë pozitat të drejtorëve në Komunën e drejtuar nga Agim Bahtiri.
“Është histori e gjatë. Qysh prej zgjedhjeve të fundit në 2017, kur ata dhe disa të tjerë e kanë thyer vendimin e LDK’së dhe kanë bërë koalicion me Agim Bahtirin dhe pas kësaj ata kanë marrë pozita në Komunë, janë drejtor të Agimit të VV’së. Dhe ka qenë kërkesë e Degës qendrore që me marrë masa në raport me njerëzit që si respektojnë vendimet e partisë. Ata kanë vazhduar deri tash të dëmtojnë imazhin e partisë. Dhe ne mbrëmë në takimin e Degës, kemi vendosur t’i shkarkojmë”, ka thënë Safet Kamberi për Express.

I pyetur nëse një zhvillim i tillë ka të bëjë me përplasjen e fundit në mes të kreut të LDK’së, Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit, Kamberi e ka mohuar kategorikisht.
“ Ska lidhje me temën e Vjosës”, ka përfunduar kreu i Degës së LDK’së në Mitrovicë.

Akuza në drejtim të Kamberit ka drejtuar vetë Tafil Peci, i cili thotë se në Mitrovicë shumica e kryetarëve të nëndegëve në Mitrovicë tashmë janë duke e përkrahur Vjosa Osmanin dhe jo Isa Mustafën.
“Një vendim i tillë i ndërmarrë, vie për shkak frustrimit të tyre, pasi që mbi 80% te kryetarëve të nëndegëve janë votues dhe përkrahës të Vjosa Osmanit”, ka shkruar Peci në profilin e tij.

Peci ka thënë se në mes të Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit do të zgjedhin këtë të fundit.
“Ne si veprimtarë të LDK-së, në mes të Rugovizmit të Haki Rugovës dhe Isa Mustafës, si dhe Rugovizmit të Ibrahim Rugovës dhe Vjosa Osmanit, ne zgjedhim këtë të fundit. Ne zgjedhim konsistencën, mbajtjen e fjalës dhe dinjitetin. Verdiktin do ta marrin nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe nacionale”, ka përfunduar Tafil Peci.