LDK propozon Isa Mustafën për kryeministër në vend të Albin Kurtit


Një javë më parë, media ka shkruar nga burime të veta se në Lidhjen Demokratike të Kosovës, adresat kryesorë politike të kryesisë dhe degëve, ia kanë kërkuar kreut të partisë, Isa Mustafa që të jetë sërish Kryeministër i Kosovës, nëse marrin mandatin nga Presidenti i Kosovës. Këtë gjë e ka konfirmuar sot për Euronews, Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Në emisionin Balkan Talks, Gashi tha se në konsultimet e deritanishme, Mustafa është personi që është përkrahur për Kryeministër.

“Kryetari Mustafa ka filluar konsultimet me aktorët kryesorë politikë të partisë, nëse do të na ipet rasti se kush do ta merrte përgjegjësinë dhe përgjigja ka qenë kryesisht dhe absolutisht mund të them që kryetarit të partisë i takon me e marrë këtë përgjegjësi. Nëse kryetari i partisë për arsye të ndryshme nuk do të jetë Kryeministër, atëherë këtë çështje do ta diskutojmë dhe normalisht kryetari ka kerku nga unë si kryetar i Grupit Parlamentar që të rekomandojë dy ose tre emra se kush mund të jetë në rast se na vie në mundësia që të formojmë Qeverinë”, ka thënë ai.

Edhe pardje Gashi e tha se ai preferon Mustafën, në një debat në një televizion kosovar.
Edhe deputeti Arban Abrashi ka shprehur qëndrimin e tij se Isa Msuatafa mund të jetë Kryeministër.
Ndërkohë, Isa Mustafa ende nuk ka folur për gjithë këto mundësi. Ai ka qenë kryeministër në një koalicion me PDK-në nga 2014 deri në vitin 2017.

Këshilli i Përgjithshëm, para disa dite, pas një kërkese të Isa Mustafës votoi pro një koalicioni të mundshëm me AAK-në dhe Nismën.

Sot Presidenti Thaçi ia dërgoi letrën e katër për mandat, kreut të VV-së, Albin Kurti.
Kurti gjatë ditës në një letër të dytë prapë nuk dha emër të mandatarit, e kërkoi sërish zgjedhje, por pas pandemisë. Java e ardhshme mund të jetë tjerët përcaktuese, thonë burime të medias.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa osmani është kundër nje qeveri tjetër. Ajo po mbron më shumë ngulm Qeverinë aktuale. Gjithsesi, tash ajo nuk duket se ka shumë forcë në votat e LDK-së në Kuvend, sikur që kishte dikur.