LDK: Mbetemi të vendosur që të krijohet Qeveria e re

Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, deri më 29 maj, ka reaguar LDK.

Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet e vendosur që të respektojë në tërësi këtë vendim.

Kjo parti thotë se me anë të marrëveshjeve politike me AAK-në, Nismën dhe AKR, ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re.

“LDK mbetet e vendosur që, në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë Qeverinë e re. LDK-ja dhe partnerët dje kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, të mbështetur nga 61 deputetë, sencë e cila do të mbahet pas vendimit final të Gjykatës Kushtetuese, meqë LDK-ja është e bindur se procesi i mandatimit të z. Avdullah Hoti është bërë konform normës kushtetuese dhe kompetencave kushtetuese që ka Presidenti i Kosovës”, thuhet në njoftim.