Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, tha se vendet perëndimore duan ta eliminojnë Rusinë, duke theksuar se ato “kanë shpallur një luftë totale, hibride kundër Rusisë”.
Duke folur në takimin e Fondacionit të Diplomacisë Gorchakov që u zhvillua në Moskë, Lavrov tha se politikanët në Evropë përdorin kundër Rusisë termin “luftë totale”, i cili është përdorur në “Gjermaninë e Hitlerit”.
“(Perëndimorët) kanë shpallur një luftë totale, hibride kundër Rusisë. Objektivat e tyre nuk janë të fshehta, kanë shpallur në mënyrë të hapur se duan të mbysin ekonominë ruse dhe të eliminojnë Rusinë në tërësi”, deklaroi shefi i diolomacisë ruse.
Rusia nuk mund të izolohet, theksoi Lavrov, i cili shtoi se “Kemi shumë miq, aleatë dhe partnerë në çdo vend të botës”.
Lavrov theksoi se perëndimorët po bëjnë propagandë provokuese për të ndikuar në rezolutat e Kombeve të Bashkuara.
“Shumica e vendeve të botës përveç Perëndimit, nuk duan të hyjnë në një lojë që luhet në mënyrë të njëanshme. Ndodhen nën një presion të jashtëzakonshëm”, tha Lavrov.
Duke shprehur shqetësimin e tyre për dëshirën e qeverisë ukrainase për të poseduar armë bërthamore, Lavrov deklaroi: “Po kështu në të njëjtën mënyrë, ne jemi të shqetësuar që Pentagoni ka ngritur laboratorë për të kryer programin e tij ushtarako-biologjik në Ukrainë”./Anadolu Agency/