Laporta e jep lajmin e madh për Messin

Kontrata e yllit argjentinas ka skaduar së fundmi dhe ai momentalisht është lojtar i lirë. Por, duket se 34 vjeçari do ta vazhdojë bashkëpunimin me gjigantin katalonas dhe me gjasë do ta përfundojë karrierën në “Camp Nou”
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta e ka dhënë një lajm të madh për Lionel Messin. Kreu i klubit katalonas ka dhënë shenja se ylli argjentinas do të vazhdojë të luajë në “Camp Nou”. Së fundmi, 34 vjeçarit i skadoi kontrata me klubin e tij, në të cilin luan që nga fëmijëria. Dhe, spekulimet për një largim të tij të mundshëm kanë nisur qe një kohë.

Por, me rikthimin e Laportas në krye të klubit, duket se përfaqësuesi argjentinas e ka ndërruar mendjen. “Messi dëshiron të qëndrojë dhe ne duam që ai të rri këtu. Jemi në rrugën e duhur për ta arritur marrëveshjen”, ka thënë Laporta për “Deportes Cuatro”, duke folur për situatën aktuale të gjashtë herë fituesit të Topit të Artë.
Interesim për Messin kanë shfaqur Manchester City dhe Paris Saint-Germaini. Mirëpo, duket se e ardhmja e njërit prej futbollistëve më të mirë në histori të klubit është në Barcelonë, aty ku luan qe një jetë dhe aty ku ka fituar gjithçka që mund të fitojë një lojtar.