Lamtumirë motra Sevdije, që me vetëmohim ngadhënjeve në dyja frontet!


Sot Kaçaniku me rrethinë i dha lamtumirën një luftëtare e atdhetare të veçantë, që përkundër faktit që humbi të afërmit e saj në luftën e fundit, punoi pareshtur në shoqatat e ndryshme humanitare, për tua lehtësuar jetën kategorive më të rrezikuara. Ishte kjo luftëtarja e ditëve të para, Sevdije Frangu, më parë në Drenicë e pastaj edhe në komunën e Kaçanikut, ku edhe i flijohet vajza Emsalja në altarin e lirisë.
Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Kjo atdhetare e devotshme ishte jo vetëm Kryetare e Shoqatës së të pagjeturve “Loti dhe Shpresa” në Kaçanik, anëtare e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovë, por edhe Koordinatore e shoqatës humanitare Feniks, dega në Kaçanik. Në saje të angazhimit të saj të pashoq, “Feniksi” brenda dhjetëvjetësh ngriti 50 shtëpi të reja pë skamnorë në komunën e Kaçanikut. Ndaj edhe kryesia e “Feniksit” ferizajas, në krye me Milaim Jasharin, vdekjen e Motrës Sevdije, e priti me një pikëllim të thellë bashkë me shumë familjarë që përfituan nga puna e palodhshme e kësaj e kësaj veteraneje dhe humaniste të veçantë.
Kjo ndarje nga Sevdije Frangu preku edhe nivele jashtë komunës së Kaçanikut, për çka edhe me rastin e ndarjes iu bë ceremonia me nderime ushtarake, në prani edhe të përfaqësueseve të shoqatave për te pagjeturit, por edhe qeverisë së Kosovës. Në varrezat e dëshmorëve të komunës së Kaçanikut, në prani të qindra qytetarëve, në emër të kryeministrit Haradinaj, mori pjesë këshilltari, Jahja Lluka i cili në fjalën e lamtumirës vlerësoi lartë figurën e kësaj nëne, në kuadër të qëndresës shembullore që treguan nënat shqiptare në luftën e përbashkët për çlirimin e Kosovës. Ndërkaq, kryetari i komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, potencoi se kjo luftëtare e humaniste ishte edhe vetë pjesë e sakrificës. Po ashtu pati edhe nga shoqatat e pranishme fjalime mortore dhe vënie kurorash.