Lajmërojeni menjëherë policinë në rast se i shihni këta tre persona

Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për arrestimin e tre personave gjatë këtij muaji. Për të tre, Policia ka siguruar urdhëresat nga Gjykata, për publikimin e fotografive me shënime të tjera të personave në kërkim.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka kërkuar dje bashkëpunim nga qytetarët për arrestimin e një të kërkuari për veprën penale “vrasje në tentativë”.
Bëhet fjalë për Sami Berishën nga fshati Irzniq i Komunës së Deçanit. Berisha është i moshës 52-vjeçare.

Por, ky nuk është personi i vetëm që është në kërkim nga Policia e Pejës.
Para një jave, Policia ka kërkuar ndihmë edhe për arrestimin e Tush Frokajt nga fshati Kosh i Komunës së Istogut.
Frokaj është i moshës 45-vjeçare dhe po kërkohet nga Policia për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Në kërkim është edhe Resul Shala, i lindur në Serbi.
Policia po kërkon ndihmë për arrestimin e 21-vjeçarit, meqenëse është i kërkuar për veprën penale ““Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope apo analoge”.
Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacione për vendndodhjen e personave, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.