A u harrua hyrja e ASH-së në Qeveri? Heshtje nga të dyja anët për procesin e bisedimeve

Hyrja e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri me sa duket është në pauzë. Pas një periudhe intensive kur flitej për zgjerim të koalicionit qeverisëse, tani palët janë në heshtje. Se nuk ka zhvillime në këtë drejtim, ditë më parë e konfirmoi edhe u.d kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Ne nuk kemi diçka të atillë, mendoj se këtë temë duhet ta lëmë kështu, nëse ka ndonjë epilog, nëse nuk ka, nuk besoj që duhet ta ekzagjerojmë”- deklaroi Arben Taravari, u.d kryetar i ASh-së.

TV21 jo zyrtarisht mëson se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka kërkuar kohë nga ASh që të merret vesh me partnerët e koalicionit për ndarjen e resorëve, pra se kush do të lëshonte ministri, ose eventualisht të shkëmbejnë mes veti për të bërë balanc, pas çka do të përgatitej oferta për ASh-në.

Megjithatë, gjatë kësaj jave Taravari la të kuptohet edhe një gjë tjetër. Ai parapëlqen që ASh në Qeveri të vijnë pas zgjedhjeve.

“Nuk kemi diçka se hyjmë në Qeveri, kjo nuk është diçka që e kemi vendosur, kështu që nuk e kisha diskutuar, në qoftë se vijmë, kur do qoftë që vijmë, pas zgjedhjeve apo para zgjedhjeve në Qeveri, unë kisha preferuar pas zgjedhjeve të vijmë në Qeveri dhe ta formojmë Qeverinë, natyrisht nuk do të mbetet institucion i cili nuk duhet të hetohet dhe të shihet, faktikisht të bëhet veting në të gjitha institucionet”- pohoi deklaroi Arben Taravari, u.d kryetar i ASh-së.

Edhe pse ka kaluar tashmë një kohë, oferta për ASh-në ende nuk është përgatitur. Pyetëm në Qeveri se deri ku është procesi, por na thanë se nuk ka asgjë të re nga përgjigja e fundit e kryeministrit Kovaçevski.

“Fillimisht me z.Taravari nuk jemi parë pas takimit që kishim dhe pasi që të kemi takim, nëse mbahet, atëherë…unë i paralajmëroj çdo herë takimet e mia, e dini se edhe herën e fundit kur ishte Taravari te unë, dha deklaratë para dhe pas mbledhjes, të njëjtën e bëra edhe unë”- deklaroi Dimtiar Kovaçevski, Kryeministër.

Nga ASh vazhdimisht përsërisin se cilado që të jetë oferta nga Qeveria, njëherë do të shqyrtohet në organet e partisë e më pas do të dalin me vendim. Përndryshe ASh më 24 dhjetor do të mbajë kongresin e partisë ku do të zgjedhë kryetarin e ri, post për të cilin tani për tani kandidatura ka dorëzuar vetëm Arben Taravari.