Lajm i mirë: Grumbullohen të gjitha paratë për operimin e Nina Dragushës në Turqi pas diagnostikimit me tumor

Familja e Nina Dragushës, vogëlushes e cila u diagnostikua me tumor dhe kishte nevojë për operim në Turqi, ka bërë të ditur se janë mbledhur të gjitha paratë për ta kryer operimin, raporton Gazeta Sinjali.

Dy ditë më parë, prindi i Ninës, Leutrimi shkroi se bija e tyre është diagnostikuar me tumor të llojit “NEUROBLASTOMA” në abdomen, ku për shërimin e saj shpenzimet kushtojnë deri në 144.000 Euro.

E i njëjti, tani ka shkruar se janë grumbulluar të gjitha paratë që kapin koston e operimit, dhe për më tepër kjo vlerë ka kaluar madje shifrën e kërkuar, për të cilën ka falenderuar secilin.

Ai ka bërë me dije se nga tani do të fillojë rrugëtimi disa muajsh për shërimin e Ninës në Turqi, teksa ka shtuar se do të njoftojë publikun për fazat e trajtimit në të cilën Nina do të kalojë gjatë kësaj periudhe.

Postimi i plotë:

Përshëndetje të gjithëve,

Ju falenderojmë të gjithëve për ndihmën që e keni dhënë për shërimin e Ninës dhe ju njoftoj që shuma e kërkuar është grumbulluar dhe për korrektësi e ka kaluar vlerën, si Shqiptar human që jemi, kemi marr ndihma nga të gjitha anët e botës e i madhi Allah ju shpërbleft juve sepse e keni nda buxhetin e familjes tuaj për me e rikthy buzëqeshjen e vajzës në familjen tonë.

Nga tani do filloj rrugëtimi disa mujor për shërimin e Ninës në Turqi dhe do ju njoftojme per fazat e trajtimit qe i kalon

Ju perqafon Nina 🐣