Lajcak: Jam në kontakt me amerikanët për strategji të përbashkët, dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë pa vonesa


Përfaqësuesi Special i BE’së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajcak, thotë se Brukseli është i bindur që “një marrëveshje për normalizim të raporteve mes të dy shteteve është absolutisht e mundur”. “Është në interesine tyre, në interesin e të gjithë rajonit, dhe sigurisht në interes të BE’së gjithashtu”, ka thënë Lajcak për Danas, i pyetur se çfarë do të bëjnë nëse nuk do të ketë kompromis për këtë çështje.

Lajcak ka thënë se BE dhe SHBA’ja kanë një histori të gjatë bashkëpunimi produktiv në Ballkanin Perëndimor dhe në procesin e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Ky bashkëpunim ka sjellë rezultate të prekshme ndër vite, unë jam në kontakt të pandashëm me kolegët amerikan, për të përgatitur një strategji të përbashkët për aktivitete të përbashkëta, dhe jemi duke shikuar për një bashkëpunim të ngusht transatlantik të rindërtuar”, ka thënë Lajcak.

Ai tutje nuk ka pranuar që të flasë për ndonjë datë të saktë rreth asaj se kur do të rinisë dialogu. “Mesazhi i BE’së është i qartë. Ne jemi të gatshëm të rinisim dialogun aty ku e kemi lënë në dhjetor sapo që të krijohet qeveria e re e Kosovës. Unë jam gjithashtu i gatshëm të udhëtojë ne rajon dhe të takoj palët sapo ta lejojnë kushtet. BE është e qartë. Vazhdimi i dialogut pa vonesa të panevojshme është në interesin e të gjithve”, ka theksuar ndër të tjera Lajcak.

Derisa fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti, i cili pritet të drejtojë qeverinë e re, me deklaratat e tij të fundit ka lënë të kuptohet se nuk do ta trajtojë me prioritet problemin e dialogut me Serbinë. Siç ka deklaruar Kurti në mbrëmjen e 14 shkurtit, për qytetarët dialogu është i 6’ti në listën e prioriteteve. Thirrje për rinisje të dialogut pa vonesa ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.