Pas 4 vitesh të vështira në Greqi dhe kthimit në Shqipëri ku që në moshën 14-vjeçare Vanesën e hoqën nga shkolla dhe e futën në punë, jeta vetëm vështirësohej për të. Ajo rrëfeu në “Ka Një Mesazh Për Ty” keqtrajtimin nga njerka, vuajtjet që nuk mbaronin dhe në një moment sheh një dritë shprese.
Ende pa mbushur të pesëmbëdhjetat, një lajmëtar kërkon dorën e saj për martesë. Vanesa thotë në rubrikën nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se këtë e pa si një mundësi për të shpëtuar nga gjithçka dhe ra dakord që martesa të bëhej.
Fatkeqësisht, drita në fund të tunelit ishte vetëm një iluzion. Në shtëpinë e bashkëshortit, i cili ishte dyfishi i moshës së saj, e priti dhuna, keqtrajtimi, punët e rënda të fshatit.
Vanesa: Shkoj aty te ajo familje në krye të 4 ditëve, domethënë bëhet ajo adeti, vjen në shtëpi, vë unazën…
Ardit Gjebrea: Më fal, ti ishe 15 vjeç.
Vanesa: Gati 15 vjeç.
Ardit Gjebrea: Gati. Po bashkëshorti sa vjeç ishte?
Vanesa: Ai ishte 15 vjet më i madh se unë. Kishte pasur një martesë më përpara.
Ardit Gjebrea: Pra ai ishte rreth 30 vjeç. Si shkove me të?
Vanesa: Jetonte në një fshat, në një fshat shumë të humbur që atje mund të ishin 5 shtëpi. “Rruga e Zhavorrit” quhet vendi aty dhe atje kalova shumë keq. Çohesha në mëngjes, në orën 5 e gjysmë se normale fshat, lopë, pula, toka, punët e fshatit si me thënë. Aty mësova shumë gjëra nga jeta, madje u bëra më e fortë akoma, u bëra më grua sepse zgjohesha në mëngjes, laja këmbët e vjehrrit, të vjehrrës, iu bëja kafenë, bëja gati qumështin sepse vjehrri dilte, shiste qumësht, spinaq, këto gjërat jeshile. I bëja gati me vjehrrën. Shkoja bëja bukën, bëja gati bukën, bëja gjellën, bëja punët e shtëpisë, laja, shpëlaja ish-bashkëshortin. Ai nuk punonte, ai thjesht dinte që të dilte për qejfet e veta, të dehej, të luante bixhoz, të vinte në orën 3-4 të mëngjesit dhe të haja unë dhunën e tij.
Ardit Gjebrea: Edhe të dhunonte.
Vanesa: Po, po më keqtrajtonte shumë, nuk më lironte fare, nuk kishte shans.
I ati i saj, pavarësisht se e bija i kishte treguar gjithçka dhe i kërkonte ndihmë, nuk iu gjend kurrë në krah por e kalonte situatën me një gotë rakie, përfundon Vanesa./ tvklan.al