“Lagjja e Trimave”, 13 të burgosur kërkojnë transferimin në Kosovë

Kërkesat e shtetasve kosovarë të dënuar në rastin “Lagjja e Trimave” akoma janë duke u proceduar në Ministrinë e Drejtësisë. Nuk dihet kur pritet komunikimi zyrtar i dikasterit të Drejtësisë me autoritete kosovare, veprim ky i cili duhet të rezulton me marrëveshje mes dy vendeve. Zëvendësministri i Drejtësisë, Agim Nuhiu thotë se procedura është akoma në fazën e komunikimit ndërinstitucional brenda vendit.

“Sigurisht që është një procedurë e stërrngarkuar. Do të duhet të duhet të komunikohen institucionet brenda vendit tonë, pastaj të dërgohet në shtetin e Kosovës dhe gjithçka do të varet nga marrëveshja që duhet arritur mes dy vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës”, tha Agim Nuhiu, Zëvendësministër i Drejtësisë.

Procedura për transferim në Kosovë nisë me kërkesë individuale të të burgosurit deri tek Ministria e Drejtësisë. Kjo e fundit kërkon nga policia të di nëse i dënuari që kërkon transferim gëzon shtetësi vendase ose jo. Të dënuarit kërkesat për transferim i kanë dorëzuar përmes avokatëve mbrojtës. Avokati Naser Raufi ka nisur 6 kërkesa, Artene Ademi gjithashtu 6 kërkesa, 5 për në Kosovë dhe një për në Shqipëri, ndërsa Mefail Arsllani një kërkesë. Transferim nuk duan të dënuarit Hajrush Avdija, Shefqet Hallaqi dhe Valdet Zekaj.

Ky i fundit është i dënuar me burgim të përjetshëm. Kushti për realizimin e transferimit të personave të dënuar, sipas marrëveshjeve bilaterale të nënshkruara mes qeverive të tri shteteve, konventave ndërkombëtare dhe Konventës Evropiane për transferimin e personave të dënuar e nënshkruar në Strasburg në vitin 1997 është njohja e akuzës dhe vendimit gjyqësorë. Për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, Gjykata Penale në vitin 2017 dënoi 37 persona me 746 vite burg, 7 prej tyre me burg të përjetshëm. Nga të dënuarit, 16 prej tyre janë shtetas të Kosovës, një shtetas i Shqipërisë, një shtetas gjerman ndërsa të tjerët shtetas të Maqedonisë së Veriut.