Kryetarët e komunave të Tetovës, Gostivarit, Çairit dhe Zhelinës do ta finansojnë Akademinë për Shkencë dhe Arte të Shqiptarëve të Maqedonisë


Kryetarët e Komunave të Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe Çairit janë dakorduar që të financojnë Akademinë për Shkencë dhe Arte të Shqiptarëve në Maqedoni derisa ajo të marrë mbështetje shtetërore. Në takimin, i cili u mbajt në ndërtesën e Komunës së Tetovës, morën pjesë edhe përfaqësues nga Shoqata për Shkencë dhe Arte – Tetovë, e cila synon të shndërrohet në Akademi, si dhe kryesuesit e Këshillave të këtyre 4 Komunave.

„Në këtë mbledhje, për fillim të gjitha katër komunat të mbështesim këtë projekt dhe së bashku me profesorët, pra akademikët, të arrihet një zgjidhje formale dhe ligjore. Nuk dua të them tani se si do të jetë kjo, sepse duhet të jetë rezultat i një debati më të gjerë shoqëror dhe politik për të gjetur zgjidhjen e duhur,“ deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

„Shoqata për Shkencë dhe Arte – Tetovë,“ ky është tani emri i Shoqatës që dëshiron të shndërrohet në një Akademi Shkencore. Në takimin e sotëm në Tetovë morën pjesë edhe tre përfaqësues të Shoqatës, të cilët u prezantuan si akademikët e ardhshëm.

„Me kolegët këtu dhe me të gjithë anëtarët e tjerë të Akademisë kemi provuar para një viti të kontaktojmë dhe kemi kërkuar takim me të gjitha partitë politike, shqiptare dhe maqedonase. Ne i kemi dërguar Qeverisë dhe Parlamentit një elaborat për Akademinë prej 121 faqesh, por nuk kemi marrë përgjigje. Kemi provuar ta zgjidhim këtë çështje përmes një dialogu shoqëror. Komunat do të financojnë vetëm projektet tona. Nuk kërkojmë pagë si akademikët në MANU, kërkojmë që komunat të na paguajnë qiranë dhe shpenzimet e udhëtimit. Edhe pse tani jemi regjistruar si shoqatë, ne jemi Akademi sepse struktura e njerëzve tanë është e tillë, me arritje shkencore,“ tha Hasan Jashari, i cili aktualisht është kryetar i „Shoqatës për Shkencë dhe Arte – Tetovë.“

Formimi i Akademisë së Shqiptarëve deri më tani ka mbështetje nga koalicioni „Vlen,“ dhe Kasami deklaroi se do të vazhdojnë bisedimet me të gjitha partitë dhe institucionet deri në një zgjidhje përfundimtare.

„Respektojmë qëndrimin e partnerit tonë të koalicionit rreth këtij projekti, por gjithashtu dua të theksoj se kjo është shumë më normale se më parë, krahasuar me reagimet e politikës për projekte të tilla dhjetë vjet më parë. Zgjidhja duhet të gjendet përmes një debati më të gjerë. Unë mbetem në atë që kam thënë më parë, që shqiptarët tashmë janë të pjekur për të qenë të përfaqësuar në një nivel akademik,“ tha Kasami.