Një peticion i fundit i paraqitur në Mbretërinë e Bashkuar bëri thirrje për ndalimin e shitjes së barit artificial (tapeteve të barit). Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje rreth ndikimit në mjedis të “gjelbërimit plastik”.
A jeni tunduar ndonjëherë nga ideja e një lëndine me gjelbërimin perfekt, pa asnjë copë toke me bimësi të zverdhur atëherë kur moti ngroh? Apo një bimë të këndshme të cilën mund ta vendosësh në parvazin e dritares për dekor e të mos kesh nevojë ta ujisësh përditë?
Rezulton se ndikimi në mjedis i këtij “gjelbërimi plastik” mund të jetë shumë më i keq nga ç’mendoni.
Pse duhet të ndalohet shitja e barit artificial?
Peticioni sugjeron se bimët natyrale dhe bari janë elementë kyç për një ekosistem të shëndetshëm.
“Ndalimi i shitjes së barit artificial mund të jetë një hap i vogël drejt rritjes së biodiversitetit në Mbretërinë e Bashkuar, duke zvogëluar gjurmën tonë të karbonit dhe duke ndihmuar popullatën tonë të insekteve dhe kafshëve të egra gjithnjë e në rënie,” – thekson ky peticion.
29.321 pjesëmarrës nënshkruan duke argumentuar se bari artificial krijon vëllime të mëdha plastike të cilat jo gjithmonë mund të riciklohen.
Tapetet e gjelbër kanë edhe efekte të tjera duke shkaktuar përmbytje dhe mbinxehje të tokës, duke i bërë sipërfaqet e mëdha të cilat mbulojnë, jo funksionale.
Një peticion i ngjashëm në Mbretërinë e Bashkuar u publikua në shtator të vitit 2020 dhe në atë kohë mblodhi 11.667 nënshkrime.
“Ne preferojmë të inkurajojmë njerëzit të bëjnë zgjedhjen e duhur, në vend se të ndalojmë shitjen e plotë të një artikulli të caktuar,” – ishte përgjigja e qeverisë për peticionin e vitit të shkuar.
Sa miqësor me mjedisin është gjelbërimi artificial?
Përveç kursimit në përdorimin e ujit (që bimëve natyrale u duhet) dhe energjisë elektrike (që duhet për të kositur barin), ndikimi në mjedis i barit dhe bimëve artificiale nuk është aspak pozitiv.
Çfarë ndodh me këto bimë artificiale kur konsumohen dhe ne nuk i duam më? Do të përfundojnë në plehra por se sa do të kenë mundësi të riciklohen kjo nuk dihet.
I gjithë procesi i krijimit të gjelbërimit artificial, nga prodhimi i pjesëve plastike deri tek ngjyrosja e tyre me ngjyrën e duhur në fabrikat e mëdha, është një tjetër shqetësim që duhet mbajtur parasysh.
Po sikur ta linim natyrën të bënte punën e saj pa asnjë ndërhyrje njerëzore?