Ky ishte futbollisti i Trepçës ‘89 që ndërroi jetë sot (FOTO)

Sot, në ndeshjen kampionale të juniorëve mes AN dhe Trepçës ’89, ndërroi jetë futbollisti 16-vjeç mitrovicas, Erion Kajtazi. Gazeta Nacionale në vazhdim jua sjell historikun e tij si futbollist. Edhe pse ekipet mjekësore bënë të pamundurën që t’i viheshin në ndihmë, Erion Kajtazi nuk ia doli që t’i shpëtojë atakut kardiak.

Sulmuesi 16-vjeç i Trepçës ’89 ndërroi jetë në fushë, duke shënuar kështu një moment të madh pikëllimi për të gjithë opinionin futbolldashës dhe jo vetëm. Lajmi për vdekjen e futbollistit në fjalë e konfirmoi edhe mjeku kujdestar i Emergjencës së Spitalit rajonal të Prizrenit.

“Urgjenca e ka sjellë atë pa shenja jete këtu në Emërgjencën e Spitalit të Prizrenit. E kemi kryer reanimin. Për fat të keq ka qenë i paskusshëshm. Pacienti ka ardhë pa shenja jete”, tha për Nacionalen mjeku kujdestar në Emergjencën e Spitalit rajonal të Prizrenit, Hekuran Vegishti.

Policia e Kosovës së bashku me Prokurorinë kanë hapur rast për një vdekje në fushën e lojës në Prizren, sipas Vesel Gashit nga Policia e Kosovës. Emergjenca u thirr në vendin e ngjarjes pasi i ndjeri u rrëzua në fushë. Më pas ai u dërgua në spital në Prizren, ku u konstatua vdekja e tij. Trupi i të ndjerit është dërguar në Institutin Ligjor për obduksion.

Ëndrra për të luajtur në Evropë që iu ndërpre në gjysmë
Kajtazi po kalonte në formë mjaft të mirë gjatë periudhës së fundit. Ai kishte bërë prova edhe për gjigantin belg, Anderlecht. Ndërsa ishte edhe përfaqësues i Kosovës U17, ku me fanellën dardane bëri 8 paraqitje. Nga njerëzit e futbollit në Mitrovicë dhe jo vetëm, ai cilësohej si njëri prej lojtarëve me premisat më të mëdha për të depërtuar në futbollin evropian.

Forma e tij ishte në rritje dhe – si rrjedhojë – Trepça ’89 investoi në të si futbollist, duke qenë e bindur se në një ditë të afërt do të afirmohet si protagonist në futbollin evropian. Si shumë futbollistë, ashtu edhe Erioni ëndërronte që një ditë ta kishte fatin që të luante në futbollin evropian.

Kartonin e tij e posedonte Trepça ’89, por menaxhimi i karrierës së tij ishte në duart e agjentit shqiptar, Shukri Asllani. Ai e përshkruante me fjalë të mëdha lojtarin mitrovicas në një intervistë që jepte për mediumin “LIG Sport” para disa muajsh.

“Erioni posedon disa cilësi të veçanta që e dallojnë atë nga të tjerët. Është lojtar i ri, fizikisht dhe teknikisht shumë i mirë. Erioni është poashtu lojtar me potencial të madh. Unë jam kurreshtar ta shoh se si do të paraqitet ai në një nivel më të lartë se ky në Kosovë dhe tek një klub i madh sikur që është Anderlecht. Unë besoj në cilësitë dhe potencialin e Erionit si lojtar dhe jam optimist në këtë drejtim”, thoshte Asllani.

Se për Kajtazin ishte interesuar Anderlecht e konfirmonte vetë kryetari i klubit të Trepçës 89’ në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Koha”.
“Është e vërtetë që futbollisti në fjalë është Erion Kajtazi”, ishte shprehur Abedin Zeka.

Futbollist premtues i Kosovës
Kajtazi ishte i shkathtë si sulmues. Kështu edhe përzgjedhësi i Kosovës U17, Arsim Abazi, e ka parë të arsyeshme që ta vendoste titullarë si në ndeshje testuese, ashtu edhe në ato kualifikuese.
Si rrjedhojë, ai luajti titullar për Kosovën në të gjitha ndeshjet që “Dardanët” e rinj zhvilluan në kualifikueset gjatë muajit prill të këtij viti.

Për arsye të ndryshme më pastaj nuk arriti të ishte edhe pjesë e kualifikueseve tjera që u zhvilluan gjatë vjeshtës, konkretisht në tetor. Hapi i tij ishte i atillë saqë e bënte të vështirë për mbrojtësin kundërshtar që ta ndalte kur ishte me topin në pronësi.Për ta dëshmuar këtë mjafton ta përmendim ndeshjen kundër Italisë që zhvillonte më 22 prill të këtij viti. Në dhjetë herë sa provonte driblimin, ai në 70% të rasteve ia dilte që të depërtonte në zona të ngushta të kundërshtare, duke krijuar kështu superioritet numerik.

Kajtazi shquhej edhe për afinitetin në të dhënit pasimin e fundit. Pikërisht duke renditur këto tipare, ishte e natyrshme që ai të ishte në sytë e shumë skautëve, si një talent premtues, i cili do të mund të zhvillohej edhe më shumë në një vend e sistem futbolli me kushte më të mira. Edhe të qenët i përgatitur fizikisht nuk i mungonte si profil lojtari. 16-vjeçari ishte i uritur për suksese. Bënte çmos që t’i ndihmonte si ekipit të tij (Trepçës ’89), ashtu edhe Kombëtares së Kosovës sa herë që ftohej për grumbullim.