Rusia ka nisur të injektojë dozat e para të Sputnik te popullsia e gjerë, duke ia kaluar edhe Britanisë të cilën e ndan vetëm pak ditë nga fushata e vaksinimit.
Mësuesit ishin ata që morën të parët vaksinën e prodhuar në vend, si pjesë e një programi vullnetar imunizimi kundër koronavirusit.
“E bëra vaksinën për sigurinë time dhe të njerëzve të afërt. Fillimisht, nuk besoja te koronavirusi, derisa një i afërmi im u infektua. Kështu vendosa të jem e para në familjet time që vaksinohem”, u shpreh Zulfiya Sosnovskaya, mësuese.
Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi që të niste pa humbur kohë vaksinimi i mësuesve, stafit shëndetësor dhe punonjësve social nga mosha 18 deri në 60 vjeç.
Putin tha se Rusia do të prodhojë 2 milionë doza të vaksinës gjatë ditëve në vazhdim e një shërbim online u prezantua të premten për të prenotuar takime për vaksinim. 100 mjekët e një spital në Domodedovo, qytezë në rajonin e Moskës i kanë marrë tashmë 2 dozat e vaksinës.
‘Kemi vaksinuar disa persona që janë mbi 60 vjeç, e nuk ka pasur efekte anësore apo komplikacione. Vaksina funksionon dhe është tejet efikase. Kemi testuar disa njerëz për antitrupa pas vaksinimit, dhe rezultatet janë shumë të mira”, tha Andrei Osipov, shefi i spitalit të Domodedovos.
Sputnik 5, një prej dy vaksinave që është aprovua për përdorim masiv në Rusi, ende pa përfunduar faza e tretë e eksperimenteve, përbëhet nga dy doza. Muajin e kaluar, Moska tha se Sputnik kishte një efektshmëri prej 92 për qind dhe nuk shkaktonte efekte anësore.