Ky është shqiptari që mba rekordin botëror për mbamendje!

Idriz Zogaj, shqiptar nga Kosova që jeton në Suedi, prej vitesh merret me sportin e kujtesës, merr pjesë në kampionate botërore, ka fituar shumë çmime dhe trajnon grupe të rinjsh për një kujtesë të fortë. “E gjitha është teknikë, – thotë ai, – që, nëse e mëson, ia del për një super-kujtesë. Nëse truri ushtrohet me teknikat e duhura, ashtu si trupi në palestër, do ia dilni të mbani mend shifra pafund, emra, ngjarje etj”.

Kampionati Botëror i Kujtesës realizohet që nga viti 1991. Prej vitit 2004 në të merr pjesë edhe një…shqiptar. Sot ai është një mësues dhe i pajisur me licencë për të hapur kurse duke krijuar grupe, konkurse e gara të ndryshme në këtë lloj sporti.

Ai është diplomuar për inxhinieri fizike, por më së shumti e njohin si ekspert i teknikave të kujtesës. Është larguar nga Kosova, vendi i tij i lindjes, në moshën 2-vjeçare. Jeton në Suedi ku edhe vazhdon pasionin e tij të madh.

Mëson të tjerët se si të përmirësojnë kujtesën e tyre dhe beson se me praktikën e duhur dhe me ushtrimet e vazhdueshme të gjithë mund të kenë një superkujtesë.

Idrizi ka përfaqësuar Suedinë në Kampionatet Botërore të kujtesës ku ka fituar edhe çmime të shumta në këtë sport. Mund të mbajë mend letrat sipas radhës duke i parë për fare pak kohë, numrat, vitet apo ngjarjet e ndryshme, ekuacionet dhe mund t’i fiksojë pa kurrfarë problemi.

“Nëse dëshironi t’i përmirësoni aftësitë e kujtesës, ju duhet ta lironi fantazinë tuaj dhe të argëtoheni!

Për të zotëruar një kujtesë të mirë, nevojitet stërvitje, shumë stërvitje. Por, disa teknika janë të thjeshta për t’u kuptuar dhe menjëherë mund të filloni t’i përdorni”- shprehet kampioni.

Zogaj na ka dhënë disa këshilla se si të përmirësojmë kujtesën dhe nëpërmjet një bisedë me të e kemi njohur më tepër këtë personazh interesant.

-Z. Idrizi, si keni rënë në kontakt me këtë lloj sporti?

Kam filluar që në vitin 2004. Ishte koha kur doja të mësoja një gjuhë të huaj, një gjuhë të re, dhe teksa kërkoja libra për të mësuar gjuhën, u hasa me një botim, i cili kishte të bënte me mësimet për të forcuar kujtesën. Aty thashë, në rregull, që të mësosh një gjuhë të huaj duhet të dish ta memorizosh atë. Në atë libër ngeca pa dashje në kapitullin e fundit, ku thoshte që nëse përvetëson këto teknika, mund të marrësh pjesë në kampionatin botëror dhe të konkurrosh aty. Unë u habita me veten që, në harkun kohor të disa javëve arrita të kaloj disa nivele njëherësh. Dhe kështu, në po atë vit mora pjesë për herë të parë në garën e madhe të kujtesës, ku merrnin pjesë përfaqësues nga 30 vende të botës.

-Për të gjithë ata që nuk e dinë, çfarë është sporti i memories?

Është një sport si gjithë të tjerët. Në këtë rast duhet të mësosh teknika dhe të memorizosh letra, shifra, fjalë, data, emra, çdo gjë që do ti ta fusësh në trurin tënd. Gjërat që nuk i kupton truri, që janë abstrakte për të, ti nuk mund t’i mbash mend, në këto moment duhet ta vizualizosh informatën, ta thjeshtosh. Për shembull, një shifër të caktuar mund ta krahasosh me një personazh të caktuar, sepse atëherë ti arrin që ta memorizosh.

-Ju na thatë që jepni dhe mësime. Kush janë nxënësit tuaj?

Po ka, që nga fëmijë e deri tek personalitete të rëndësishme, duke futur këtu edhe biznesmenë. Ata mësojnë teknikat dhe më pas i praktikojnë ato. Habiten kur arrijnë rezultat dhe u vjen inat me veten se si nuk i kanë ditur më parë. Për shembull në ekipin tim në Suedi, kam atë që është më i miri në botë, Jonas von Essen, ka fituar kupën e botës. Jam autor i disa librave, libra për të rritur dhe libra për fëmijë, aty gjen mësime mbi teknikat e memories. Ti e vendos nëse do ta mbash mend apo jo.

-A i ndihmojnë këto teknika nxënësit apo studentët që të mësojnë më shumë?

Po, një nga hallkat e konkurrimit në kampionat është të mbash mend data historike dhe rekordi i botës është dikush që për pesë minuta ka memorizuar 132 data historike. Domethënë ato çka i mëson për një vit, mund t’i mësosh për 5 minuta. Kjo vlen për studentët e historisë dhe jo vetëm për ata.

-Më konkretisht, si bëhet kjo?

E para është që të lidhësh informatat. Një fjalë, një figurë e lidh me tjetrën. Ne memorizojmë shifra shumë, por që ta memorizosh shifrën duhet ta krahasosh atë me një figurë. Të gjitha datat thjesht duhen vizualizuar. Një numri i japim pamjen e një figure, në të kundërt nuk e mban mend.

-Sa ndikon stresi në humbjen e kujtesës?

Ndikon shumë. Stresi ta dëmton trurin. Nëse një person është i shoqëruar vazhdimisht nga stresi, ai goditet direkt në memorie, ndaj duhet të ketë kujdes. Dhe ky është një moment ideal për t’u stërvitur mbi memorien. Po ashtu duhet të bësh një jetë të shëndetshme. Duhet të kesh një regjim gjumi normal. Duhet të flesh të paktën 7 deri në 8 orë në 24 orë. Duhet të ushqehesh mirë, pasi nëse trupi yt nuk është mirë, atëherë nuk është as mendja. Kur kemi stres edhe harrojmë më lehtë.

-Çfarë kënaqësi të fal ky lloj sporti?

Po është një lloj sikur të shkosh në palestër e të bësh një ushtrim, në fund thua; ua e bëra këtë. Stërvitja e trurit duhet të jetë pjesë e shkollës, duhet të jetë pjesë e lëndëve mësimore.

***

Si të stërvisim trurin

Idriz Zogaj na jep disa këshilla konkrete se si të përmirësojmë kujtesën dhe si ta stërvisim atë. kampioni shqiptar tregon disa teknika:

Përqendrohuni

Kur flas për kujtesën flas për pesë hapat që duhet ndërmarrë për të përmirësuar kujtesën tuaj. I pari është të përqendroheni dhe të jeni të vendosur për të mbajtur mend informacionin. Pavarësisht nëse është emri i një personi, një numër telefoni ose një listë ushqimesh. Pastaj vijmë në atë që unë e quaj ABC-ja e kujtesës. Çdo person që konkurron në fushën e kujtesës, arrin ta bëjë atë që ndoshta ju do ta mendoni si të pamundur, duke i përdorur këto tri teknika.

Metoda e lidhjes

Kjo metodë përfshin lidhjen e informacionit. Për shembull, nëse doni të mbani mend disa fjalë, ju mund t’i gruponi ato dhe të krijoni një tregim të bukur dhe të animuar. Sa më shumë që të argëtoheni, aq më lehtë do të jetë për ju që të mbani mend! Kjo teknikë është e përsosur sidomos kur je duke mësuar një gjuhë të re. Nëse i lidhni fjalët në dy gjuhë të ndryshme duke përdorur Metodën e Lidhjes ju do t’i përmirësoni aftësitë tuaja të të mësuarit në mënyrë drastike! Ju mund ta praktikoni këtë metodë me kurset Zogaj Memo Gym dhe Zogaj Game.

Metoda e ngjashmërisë

Truri juaj nuk mund të përballojë shumë informacion abstrakt. Prandaj, është e rëndësishme ta lidhni informacionin me diçka që truri juaj mund të trajtojë dhe të kuptojë. Për shembull, 52 kartat në një lojë me letra janë abstrakte për shumicën e njerëzve. Megjithatë, nëse çdo kartë e lidh me një person ose me një objekt të caktuar, truri juaj do të mundohet të aktivizojë të gjithë mekanizmat e imagjinatës suaj për t’u kujtuar më lehtë! Gjithashtu numrat 0 deri 9 mund të shoqërohen duke përdorur rimën. Numri Zero rimon me fjalën Hero (në gjuhën angleze), One – Sun, Two – Screw etj. Ju mund t’i gjeni tri mënyra për lidhjen e numrave 0 deri në 9 në Zogaj Game.

Një busull mendore

Realisht, nuk është e vështirë për të mësuar përmendësh. Truri ynë mund ta përballojë atë nëse përqëndrohemi. Problemi është gjetja e informacionit dhe të dimë se ku të kërkojmë. C qëndron për metodën e Udhëtimit, e cila është përdorur nga të gjithë atletët e kujtesës në botë, si dhe nga grekët e vjetër! Kjo metodë funksionon thjesht duke imagjinuar një vend që ti e njeh mirë dhe lidhja e një informacioni me atë vend. Pra, kur ju duhet ai informacion – ju do ta dini ku të kërkoni!

Bëni përsëritje

Pavarësisht teknikave të mira, të gjithë duhet të përsërisim informacionin! Kur unë mësoj një tufë të re letrash, unë duhet ta përsëris atë. Megjithatë, duke përdorur teknikat e mësipërme dhe pas shumë ushtrimeve që kam bërë, më duhet t’i shikoj letrat vetëm një herë dhe t’i mbaj mend ato plotësisht.

Të dish se si dhe kur të bësh përsëritje është shumë e rëndësishme! Shumica mundohen të mësojnë më tepër dhe më shpejt se sa kanë mundësi. Këta njerëz duhet ta kuptojnë se trajnimi është më i efektshëm kur ndahet në pjesë dhe kapituj gjatë një periudhe kohore.

Nga inxhinier në memorizues

Idriz Zogaj është 42 vjeç. Ka lindur në Prizren dhe është larguar nga qyteti i tij i lindjes kur ishte vetëm 2 vjeç. Jeta në Suedi nuk ka qenë e lehtë për të, por ai ka arritur t’ia dalë mban duke u bërë i famshëm, më shumë për botën atje, sesa për vetë shqiptarët. Sot ai është një trajner, i cili jep leksione në fushën e memories. Ka përfunduar studimet e larta për Inxhinieri Fizike, por në një moment ku as atij nuk i kishte shkuar në mend, ndryshon komplet drejtim, i përkushtohet sportit të kujtesës. Edhe pse ka ikur në një moshë të vogël, ai ka arritur ta ruajë mirë gjuhën shqipe.