Ky do të jetë orari i ri i parkingjeve në Tetovë

Seanca e 29 e Këshillit të Komunës së Tetovës, e cila kishte 23 pika të rendit të ditës filloi me diskutime nga këshilltarët e VMRO DPMNE-së, të cilët propozuan pikë të re, e cila kishte të bëj me preventivat për virusin korona, por kjo nuk u pranua nga kryetari i Këshillit, Bekim Memeti, dhe kjo pikë e rendit të ditës u la për seancën e radhës.

Ndërkaq, në këtë seancë të Këshillit u miratua edhe propozim vendimi për formimin e Këshillit për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Komunën e Tetovës, i cili do të ketë për obligim që të hartojë masa adekuate së bashku me MPB-në dhe bashkësitë fetare. “Ky këshill ka për qëllim që të identifikojë rastet e qytetarëve që mund të jenë të përfshirë në grupe të ndryshme ekstremiste dhe mundësia që në këtë drejtim me ato raste të punohet në risocializimin e tyre”, tha Ahmed Qazimi, përfaqësues i Komunës së Tetovës.

Një ndër pikat më të diskutuara në këtë seancë, e cila ishte propozim ndryshimi dhe plotësimi i rregullores për mënyrën dhe kushtet e parkimit, kohëzgjatjen e parkimit përkatësisht kufizimin e tij dhe shënimin e kufizimit të vendparkimeve publike me rëndësi në Komunën e Tetovës.

Sipas përfaqësuesve të kësaj ndërmarrje, në Tetovë ka gjithsej 752 vendparkime, ndërkaq numri i kartelave të shitura vjetore në vitin 2019 ka qenë 384, ndërsa gjatë vitit 2019 ndërmarrja ka bllokuar 5596 vetura, dhe numri i veturave që janë marrë me anë të karrotrecit ka qenë 2225 vetura .

Ndërmarrja gjatë vitit 2019 ka shitur 86 mijë e 500 bileta dhe ka pranuar 175.107 SMS porosi. Në këtë seancë u vendos që të ndryshohet koha, dhe parkingu i qytetit të punojë në dy pjesë, edhe atë gjatë verës dhe dimrit.

“Në bazë të nenit 6 të rregullores ndërmarrja ka bërë ndryshim të orarit të punës edhe atë sipas kohës verore duke filluar prej 1 maj deri më 30 shtator, gjegjësisht nga e hëna deri të premten parkingu të punojë nga ora 7 deri ora 23, ndërsa të shtunën nga ora 7 deri ora 14. Ndërkaq orari dimëror do të vlejë nga një tetori e deri më deri 30 prill, gjegjësisht nga e hëna në të premten prej orës 7 deri ora 21, kurse të shtunën nga ora 7 deri ora 14. Për bazë janë marrë Komuna e Manastirit dhe Strumicës, dhe jo Komuna e Gostivarit, Shkupit dhe Kumanovës”, tha kryetari i Këshillit, Bekim Memeti.

Këshilltarët e ASH-së propozuan që të mos ndahet në kohë dimërore dhe verore, por të jetë një orar, gjegjësisht prej ditës së hënë deri ditën e premte nga ora 7 deri ora 21, dhe të shtunën nga ora 7 deri ora 14 gjatë gjithë vitit, por ky propozim nuk u mbështet nga shumica e këshilltarëve. Parkingu i qytetit gjatë viti 2019 ka realizuar të hyra afër 23 milion denarë, ndërsa të dala 22 milion denarë, ndërkaq diferenca është 113 mijë denarë. Mjetet dalëse janë për operatorët telefonik, materiale zyre, biletat e parkingjeve, shërbime bankare dhe rrogat e të punësuarve, ndërsa 747 mijë denarë, ndërmarrja ka paguar borxhin e vjetër, edhe atë kjo shumë është tërhequr nëpërmjet përmbaruesve, u tha në seancën e Këshillit të Komunës së Tetovës.