Kuvendi sot debaton për përzgjedhjen e Naser Ziberit për Avokat të Popullit

Kuvendi sot duhet ta fillojë seancën e 32-të në të cilën në rend dite është Propozim vendimi për përzgjedhjen e Avokatit të popullit. Për avokat të popullit është propozuar Naser Ziberi. Është e pasigurt nëse sot Kuvendi do të ketë kuorum për punë, duke e pasur parasysh se partitë qeveritare nuk kanë shumicë për momentin për shkak të mungesës së deputetëve për shkak të Kovid-19, gjegjësisht izolimit.

Naser Ziberi është propozim i BDI, por kandidatura e tij u kundërshtua nga grupi parlamentar i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Ziberi, i cili ushtron profesionin e noterit, ishte kandidati i BDI-së për kryeministër në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Një mandat i Avokatit të Popullit zgjatë 8 vjet, me të drejtë të rikandidimit edhe për një mandat.
OJQ-të kishin kritikuar ashpër procedurën për shpalljen e konkursit për zgjedhjen e Avokatit të popullit duke e cilësuar si jotransparente dhe të fshehur qëllimisht duke lënë dyshime se partitë tashmë ishin dakorduar për një emër. Procedura jotransparente për zgjedhjen e Avokatit të ri të popullit, sipas OJQ-ve, anëtare të Rrjetit për mbrojtje nga diskriminimi, ua kishte mohuar të drejtën e aplikimit të gjithë kandidatëve të interesuar.