Kuvendi dha pëlqimin, 50 milion euro borxh për modernizim të bujqësisë

Vendi do të merr rreth 50 milionë euro borxh nga Banka Ndërkombëtare për Rinovim dhe Zhvillim për modernizimin e bujqësisë. Propozim ligji i Qeverisë për këtë huamarrje morri përkrahjen e Kuvendit, përkatësisht 53 deputetë votuan pro, tre abstenime dhe asnjë kundër. Opozita shqiptare konsideron se bujqësia vendore ka nevojë për modernizim por dyshon në menaxhimin e parave, sigurimin e plasmanit për produktet bujqësore por edhe prodhimin e ulët dhe jokonkurrues.

“Logjika thotë se çdo modernizim dhe çdo investim në këtë fushë është i arsyeshëm. Por ku janë dilemat?! Dilemat qëndrojnë nëse kthehemi pas në kohë të shohim se politikat tona zhvillimore në këtë sferë a e kanë arritur qëllimin për të cilin janë investuar apo jo, sepse qëllimi është problemi i plasmanit. Gjithë ky qëllim për të cilin marrim këtë borxh nga Banka Botërore.”,- tha deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.

Për opozitën maqedonase projekti ka vetëm një qëllim, të kënaq oreksin e oligarkëve të partisë në pushtet.
“Kjo qeveri edhe një herë dëshmon se nuk do t’u ndihmojë bujqve. Asaj i interesojnë biznese të pastra ku oligarkët e vet mund kë2naqin nevojat e tyre personale. Çfarëdo që të thoni është kot sepse nuk keni përgjigje për këto çështje të mëdha. S’keni alternativa, thjesht marrim para, bëhemi vend me borxh enorm, a zgjidhje për problemet nuk kemi.”,- u shpreh Zdravko Trajanov nga VMRO-DPMNE.

Mirëpo propozuesi hodhi poshtë pretendimet e opozitës.
“Unë e besoj bindjen tuaj, që një projekt i tillë, që punohet më gjatë, të përpiqesh ta nxish sikur po punohet diçka, por nuk dihet se çka dhe ku do të shkojnë paratë, apo se do të shkojnë në dëm të bujqve, por kur flisni gjëra të tilla është mirë të jepni argumente dhe jo flokula për të mjegulluar opinionin. Nëse ky projekt nuk sjell benefite për bujqit atëherë nuk e di se cili projekt sjell benefite.”,- u shpreh zëvendësministri i financave, Trajan Dimkonvski.

Sipas propozuesit, qëllimi primar i projektit është që të përmirësojë konkurrencën në bujqësi dhe të rrit kapacitet institucionale për qasje në fondet evropiane. Projekti në tërësi ka vlerën prej 50 milionë euro, prej të cilave 46 milionë janë borxh, ndërsa katër milionë janë grand nga BE. Përgjegjëse për zbatimin e projektit do të jetë Ministria për bujqësi, pylltari dhe ekonomizim me ujërat, ndërkaq vendi do të duhet ta ktheje borxhin për 12 vjet.