Kuvend, merr dritë jeshile konkursi për drejtor të ATO-s

Me shumicë votash, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë i dha dritë jeshile Propozim-vendimit për shpalljen e konkursit publik për zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë Teknike Operative. Duke ftuar të paraqiten në konkurs deputetët njëzëri, si ata të pushtetit dhe opozitës, shfaqën nevojën për kuadër i mirëfilltë që do ta udhëheq këtë institucion.

“Të gjitha partitë politike, nga se e votuam me konsensus, u pajtuan se kriteret për zgjedhjen e drejtorit të ATO-s, duhet të jenë të fuqishme jo vetëm për nga pavarësia politike që unë më shumë do të theksoja aspektin e integritetit profesional, diturisë dhe pavarësi operative, por edhe nga aspekti i mënyrës se si do të zgjidhet vetë drejtori”,– theksoi Frosina Tashevski Remenski nga LSDM.

“Besoj se nëpërmjet këtij institucioni do të ndryshojë edhe mentaliteti i funksionimit të sistemit të sigurisë, ku të punësuar në këtë institucion dhe institucionet tjera që varen nga kjo drejtori nuk do ta keqpërdorin detyrën zyrtare, nuk do të ngritin tensione ndëretnike”,- tha Ejup Alimi nga BDI.

“Unë shpresoj se konkursi për drejtor të ATO-s do të jetë një shembull ku praktikat e keqja të cilat ishin në të kaluarën pavarësisht në cilën garniturë qeverisëse do të jenë vetëm e kaluar, veçanërisht në këtë sferë në RM. Vërtetë na duhen njerëz kredibilë, profesionistë dhe me autoritet”,- u shpreh Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.

Me ndryshimet në ligj, Agjencia do të ketë vetëm drejtor dhe pa zëvendës, siç parashikohej më parë. Ndërsa do të zgjidhet me shumicë prej dy të tretash dhe me shumicën e Badenterit, me mandat pesëvjeçar dhe pa të drejtë rizgjedhjeje.