Kuvend apo teatër? Xhaferi: 101 deputetë jeni nënshkruar dhe do të kërkoni shpenzime rrugore

Jeni nënshkruar se jeni të pranishëm këtu 101 deputetë dhe do të kërkoni shpenzime rrugore.
Kështu kryeparlamentari Talat Xhaferi iu përgjigj koordinatorit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski në seancën e djeshme të tensionuar në të cilën ky i fundit i tha Xhaferit se bën teatër nga Kuvendi.
“Kryetar, pas ditës së sotme, më duhet të them se duhet të ndaleni të bëni teatër prej Kuvendit. Duhet të ndaleni ta ulni vlerën e Kuvendit si institucion dhe të deputetëve në këtë Kuvend”, tha Micevski.

Pas kësaj, deputetët e lëshuan sallën…
“Daniella Markovska ka fjalë…Urdhëro Daniella, ke mikrofon, fol. Nikolla Micevski, shko në vendin tënd, ti merre mikrofonin, asaj ia jep mikrofonin dhe shko në vendin tënd. Nikolla Micevski…Nikolla Micevski….largohu prej atje, largohu prej atje, nuk e ke vendin atje…Daniella vazhdo me fjalën. Nikolla Micevski largohu prej atje. Sigurimi, largojeni koordinatorin…”, tha Xhaferi në seancë.

“Çka mendoni ju, unë ha kashtë këtu. Çfarë po udhëheq unë këtu, çfarë po udhëheq unë këtu? Unë nuk udhëheq bixhoz, të bëj bixhoz. Unë këtu po udhëheq institucion shtetëror.
100 orë do të flas…tre muaj më mbani këtu. Po, po, fol sa të duash. Tërë ditën po merreni kot me mediat. Tërë ditën merreni me mediat. Talat, Talat, Talat, ja e keni këtu Talatin. Hyni këtu që të miratohen ligjet”, shtoi më tej Xhaferi.

Pas ditës së djeshme që kaloi në atmosferë të tensionuar, sot shefi i Parlamentit, Xhaferi caktoi kryesi parlamentare, ku do të diskutohet se si do të vazhdojë me punë Kuvendi. Xhaferi takimin e thirri pas ndërprerjes së seancës së djeshme për shkak se opozita e lëshoi sallën me çka nuk kishte kuorum për votim, ndërsa seanca për pakon e pestë të masave ekonomike nuk u mbajt.