Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përmendur integritetin e KQZ’së, teksa i ka tërhequr vërejtje kryetares së kësaj komisioni, Valdete Dakës, për atë që Osmani e quajti “shtyrje përpara të agjendave partiake” pas mos-certifikimit të subjekteve të caktuara politike.
Ndonëse pjesë e procesit zgjedhor, Osmani si ushtruese e detyrës së një ndër funksioneve më të rëndësishme shtetërore e gëzon të drejtën e shkarkimit të kryesueses së KQZ-së.
Një gjë e tillë i mundësohet me anë të Nenit 61.5 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili thotë se “Mandati i Kryesuesit të KQZ-së apo cilitdo anëtarë të KQZ-së mund të ndërpritet përmes dorëheqjes ose nga Presidenti i Kosovës me efekt të menjëhershëm, në rrethanat kur: d) Anëtari sillet ose vepron në atë mënyrë që e dëmton seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së”.
Tërheqja e vërejtjes së Osmanit, me anë të një video-mesazhi, erdhi një ditë pas mos-certifikimit të listës së subjektit politik në të cilën ajo garon, atë të Vetëvendosjes.
Ushtruesja e detyrës së të parit të vendit ka thënë, ndër të tjera, se nëse edhe njëherë abuzohet me KQZ’në sikur ditën e djeshme do të detyrohet të ndërmarrë masa.
“I ftoj qytetarët të ruajnë maturinë dhe qetësinë që ta mbrojmë integritetin e procesit zgjedhor. Jam duke punuar afër me partnerët tanë që të kemi prezencën e tyre në këtë proces. Në rast se përballemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ për të shtyrë përpara agjenda partiake nga ana e anëtarëve të KQZ’së do të detyrohem që të ndërmarr të gjitha masat për integritetin e KQZ-së dhe procesit zgjedhor”, ka deklaruar ajo.
Periudha e ankesave nga partitë që nuk ju certifikuan listat është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar, në mënyrë që më 2 shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.
Institucionet ku subjektet politike mund të adresohen janë PZAP-ja dhe Gjykata Supreme.
Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 14 shkurt, në KQZ kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Nuk është paraqitur asnjë kandidat i pavarur.