Kush po na e bënë haramin “hallall”?!

Çka po ndodhë me Bashkësinë Fetare Islame? A e kuptojnë “teologët” aty, si dhe trembëdhjetë “alamet myftinjtë” se harami nuk mund të bëhet hallall! BFI-ja nuk mund të jetë kishë ku mund të lahen mëkatet. Ke bërë çfarë ke bërë deri dje, sot je i shpëlarë e i pamëkatshëm. Kjo është logjika e tyre? Na e kanë bërë “hallall” mishin e derrit, na kanë rrasur me këtë mish dhe, sot, “i reaguam STOKOMAK-ut dhe, kjo kompani vendore, nga sot e tërheq këtë produkt nga dyqanet”! Përgjegjësi nuk ka, ata që e kanë hëngër “narezokun”, u bëftë mirë

Nga Mulla Nazmi Jashari

Nëpër dyqanet e vendit, nëpër markete, madje edhe nëpër katunde ku të gjithë banorët janë myslimanë, deri më sot është shitur “narezok mishi”, pra jo “narezok viçi”, apo “narezok derri” por, “narezok mishi”! Sikur të ishte “narezok derri” vështirë se do të futej nëpër dyqane myslimanësh! Dyqanet tona vazhdimisht qenkan furnizuar me këtë produkt, sepse, natyrisht, është shpenzuar! Sipas shumë dyqanxhinjëve ky prodhim serb shitet për shumë vite nëpër dyqanet tona! Ky prodhim serb, shitet si lloj “pashtete viçi” me 40 për qind mish derri, si dhe, me një përqindje të madhe të kërcit dhe lëkurës së derrit! Nëpër dyqanet tona i gjenë në dy lloje, me “narezok viçi” dhe “narezok mishi”! Nuk ju duket këtu që ka hile të qëllimshme, për t’u poshtruar myslimanët?!

Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së e kapi këtë produkt haram për myslimanët ndonëse mbante vulën e “Standardit Hallall”, dhe e alarmoi opinionin e gjërë. Brenda pak kohe, për punë minutash, u alarmua një numër i madh i myslimanëve të vendit të cilët reaguan ashpër! Reagime të ashpra pati edhe në adresë të Bashkësisë Fetare të Shaqir Fetait, si i vetmi Institucion në vend që e ka të drejtën e çertifikimit të produketeve me vulën e “Standardit Hallall!

Reagoi Bshkësia Fetare Islame duke ia hedhur fajin Bashkësisë Fetare të Serbisë që ka vënë vulën “hallall” në atë produkt, reagoi kompania vendore “Stokomak”, duke kërkuar shumë “falje”, ndërsa me këtë u kënaq dhe u mjaftua edhe BFI-ja! Dhe me kaq të mbyllet ky skandal për ç’gjë do të duhej të “tëkërliteshin” koka të mëdha!

Si guxon të flejë kaq i qetë Shaqir Fetai! Si guxon të mos alarmojë të gjithë institucionet e shtetit! Si guxon që të vihet në shërbim të EVN-së sepse këtë ia kërkoi Ministri i Ekonomisë, kurse ky nuk i kërkon Ministrit të Ekonomisë që t’ia vë në dispozicion Agjencisë për Hallall Standard, përbërjen e çdo produkti që prodhohet e që futet në Maqedoni! Si nuk guxon t’i kërkojë kësaj Ministrie që prodhuesit vendorë, si dhe ata që shesin mallëra të huaja në vendin tonë me patjetër që duhet ta deklarojnë në Agjncinë e BFI-së tërë listën e përbërësve të prodhimeve. BFI-ja duhet t’i sigurojë qytetarët e vet se çfarë po hanë. A guxon BFI-ja që ta kërkojë fajin diku gjetkë, për shembull te BFI e Serbisë e cila qenka e autorizuar që ajo t’i vulosë prodhimet serbe me llogon e Hallall Standardit! Do me thënë që, për myslimanët e Maqedonisë kujdesin duhet ta ketë Bashkësia Islame e Serbisë, kurse Shaqir Fetai me kompaninë e vet ta trashë qafën me “narezokë”!

Po çka bën Bashkësia Fetare Islame e jona? Apo, mundësia e saj është vetëm që të reagojë kundër ndonjë dukurie pasi që të zbulohet prej myslimanëve të vendit! Po vetë Agjencia? A i kontrollon produktet? Çfarë pune ka nëse jo t’i kontrollojë produktet, sepse, para dy-tre viteve jemi rrasur duke ngrënë edhe “napolitanka hallall”, me 3 për qind yndyrë derri! A ka kjo Agjenci e Shaqir Fetait ndonjë katalog, me fotografinë e produkteve të cilat nuk duhet t’i blejnë myslimanët e vendit, sepse përmbajnë elemente derri! A nuk do të ishte kjo një trysni që kompanitë të mendojnë për prodhimin e përshtatshëm për një konsumator që është relativisht i madh në vend, siç jemi ne myslimanët e vendit?

Si qenka zgjidhja kaq shumë e lehtë: Stokomaku na kërkoi falje, nga nesër do ta tërheqë këtë produkt me mish derri që mbanë llogon e “Standardit Hallall”! Atë që e keni hëngër ju bëftë mirë, tul e dhjamë! A nuk u duket ky një krim i qëllimshëm?

Vjen një “kompani ushtarësh” të huaj, të vret e të plagosë gjysmën e popullatës, nëse jo edhe më shumë dhe, në fund: na falni se plumbat paskan qëlluar plumba luftarake, të cilat gabimisht i paskemi marrur me vete, në vend të “municionit shkollor”! Ata që u vranë “Zoti në xhenet”, ju që mbetet gjallë, na e bëni hallall!

Unë dhe familja ime e gjërë, nga sot, një Zot e di se sa gjatë do të jetojmë në dyshime: nëse e kemi hëngër edhe ne këtë “narezok” a jo! Tërë ditës kemi pasur një ndiesi të fajit, duke shkuar derë më derë nëpër familje e duke shtruar pyetje nëse kanë ngrënë apo jo nga ky “haram”! Sot, si familja jonë, janë ndjerë edhe mijëra familje myslimane në vend, ndërsa shërbimet e Shaqir Fetait na thonë “e zgjidhëm problemin, reaguam dhe, prej nesër nuk do të ketë nëpër dyqane “narezok derri” me vulën “Hallall”!

Po produktet e tjera? Po prodhimet e tjera që futen në vendin tonë pa u kontrolluar e të fallcifikuar! Vetëm një Zot e di se sa lloj prodhimesh të tjera kemi nëpër dyqane tona që mbajnë vulën “Hallall”! Ne, pleqtë që bëjmë pazare ditore, na mjafton për ta parë vulën “Hallall”, e t’i bindemi produktit, sepse nuk mund ta lexojmë përmbajtjen me shkronja mikroskopike! “Hallall narezok” me mish derri mund të jetë shtruar edhe nëpër restorantet e Medreseve tona! Gjithçka është e mundur me këtë haram kryesie që na u instalua në krye të BFI-së! Edhe derrin na e bënë “hallall”!

Në heshtje nuk duhet të rrijë as Komisioni i Fetfasë pranë BFI-së! Të na thonë se sa i shpëtojmë ne si qytetarë edhe ata si “drejtues” përgjegjsisë! A duhet të japë dikush përgjegjësi që “gabimisht” na paskan lejuar që me vetëdije ta bëjmë haramin “hallall”! Gjithçka mund t’i falet Shaqir Fetait por jo edhe kjo heshtje prej qyqeje e ndrydhur në grusht të “haramit”!