Kush po e bën koronën hileqare?!

Nga Suzana SALIU

Është e palogjikshme dhe dashakeqe që një virusi global që ka kapluar popuj, kombe dhe kontinente, ti vishet ndonjë faj etnik. Dështimi i politikave në ballafaqim me virusin nuk mund të arsyetohet duke drejtuar gishtin kah vendbanimet shqiptare. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë të ndërgjegjshëm dhe me kulturë të lartë shëndetësore por për shkak të rrethanave shoqërore dhe politike që kanë kaluar akoma vuajnë nga mosbesimi ndaj institucioneve të shtetit ku jetojnë.

Gjyshet dhe nënat tona të urta dhe të mençura na kanë edukuar që në rast të ndonjë rrufë të mos endemi në mes veti. Jo, mos ejani sepse kemi një rrufe. Jo, nuk mund të vijmë deri sa jeni me rrufë. Më mirë të rrimë në shtëpi. Filozofia e kësaj edukate i ka përcjellë shqiptarët në të kaluarën kur nuk kishte telefona, televizorë e universitete. Tani që kemi qasje në çdo informacion, njohuritë, ndërgjegjja dhe kultura e gjithësecilit, por edhe e shqiptarëve vetëm sa është ngritur dhe përforcuar.

Qysh se ka filluar periudha e pandemisë së Kovid 19, në Maqedoninë e Veriut janë miratuar një varg masash mbrojtëse, dhe shumë rigoroze, duke filluar nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, karantinimi, izolimi, që kulminuan me vënien e orës policore, që është barabartë me ngujimin (burgun) shtëpiak. Gjatë kësaj periudhe Qeveria ka nxjerrë me qindra dekrete që e kanë komplikuar skajshmërisht përditshmërinë dhe jetën e qytetarit. E gjithë kjo me arsyetimin në luftimit sa më të suksesshëm të virusit. Masat rezultuan të suksesshme në Dibër, e cila pas 60 ditë karantinimi dhe mbylljeje rigoroze dolën të pastër nga virusi dhe të gjithë i uruam për qëndresën e tyre. Edhepse Dibra, qyteti i banuar kryesisht me shqiptarë ishte vendbanimi i parë ku u eksperimentua izolimi total, kjo masë u vlerësua si qëllimmirë nga opinioni dhe nuk pati reagime të llojit pse eksperimentet fillojnë pikërisht nga shqiptarët.

Tendenca e këtyre ditëve që vendbanimet shqiptare, Çairi, Saraji, Buteli, Haraçnina, Studeniçani, Likova, por edhe Tetova e dy universiteteve, në sytë e opinionit të gjerë të paraqiten si të pandërgjegjshëm, të pacivilizuar dhe pa kulturë shëndetësore, dhe kështu duke i bërë vatër dhe shkaktarë kryesorë të përhapjessë virusit, është qëllimkeqe dhe dashakeqe. Është e palogjikshme, mbase edhe e afërt me çmendurinë që një virus global që ka kapluar popuj, kombe dhe kontinente ti veshet ndonjë faj etnik. Dështimi i politikavve shtetërore në ballafaqim me virusin nuk I jep të drejtë askujt që gishtin ta drejtojë kah shqiptarët. Kjo luftë në vend që të na bashkojë, ajo nxjerr në sipërfaqe sërish paragjykimet, stigmatizimet, e pse joedhe urrejtjen ndaj shqiptarëve nga ana e strukturave të caktuara. Ky botëkuptim mental padyshim se është provokues për qytetarët shqiptarë, por jo edhe problem i tyre. Problemi serioz qëndron te ata që nuk mund të gjejnë “paqë” e “qetësi” nën nënqiellin e përbashkët të këtij trualli, siç u shpreh ditë më parë një analist i nderuar. Kush po e bën koronën hileqare?! Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut edhe pse kanë veçoritë e tyre, ata janë pjesë e trungut të gjithmbarshëm shqiptar, të njejtë me ata të Shqipërisë dhe të Kosovës, autoritetet e të cilëve po ballafaqohenme virusin global në mënyre shumë më të suksesshme se autoritetet e vendit tonë. Janë të njejtë me bashkëkombasit e tyre të ciët reflektuan bindje, ndërgjegjësim dhe kulturë ndaj situatës së krijuar. Por, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për shkak të rrethanave shoqërore dhe politike nëpër të cilat kanë kalauar akoma vuajnë mosbesimin ndaj institucioneve të shtetit ku jetojnë.

Vënja e masave rrigoroze, informimi i vazhdueshëm dhe i paskrupullt medial, press konferencat e stërgjatura të autoriteteve, lajmet e pakontrolluara dhe kontradiktore për virusin si në asnjë vend tjetër në regjion, u treguan kontraproduktive dhe po shkaktojnë panikë dhe huti te qytetarët. Lajmet se “je i sëmurë”, por “nuk je i sëmurë” vështirë po kapërdihen. Madje disa autoritete që u kapluan nga virusi, më shumë kanë dhënë deklarata gjatë sëmundjes, se sa kur ishin të shëndoshë, që e vë në dyshim diagnozën e tyre. Vërtetimi pas vdekjes së pacientit se paska qenë i sëmurë nga virusi lë hapsirë manipulimi për numrin e të vdekurve. Pastaj, si në asnjë vend tjetër në regjion, korona në vendin tonë ka prekur pa përjashtim, gra e burra, foshnja, shtatzëna, lehona, fëmijë, të ri dhe pleq. (“Грешка во пристапот и есапот”.Këtë frazë po e shkruaj në gjuhën maqedonase sepse tingëllon më rimuese). Për shembull, në Mal të Zi gjatë krizës janë regjistruar 11 të vdekur, të gjithë meshkuj të moshës së shtyrë, prej të cilëve 6 me sëmundje të rëndë të kancerit. Te ne, edhe vdekjet të cilat do të ndodhnin në kushte normale, po regjistrohen si të vdekur nga korona. Pse po mbjellim një frikë dhe panikë e tillë?!Apo të mendojmë se fati dhe jeta jonë është në duart e autoriteteve dhe dekreteve të tyre komanduese dhe të pakontrolluara?!Sëmundje ka pasur dhe do të ketë. Është në natyrën e njeriut që të frikohet dhe të ruhet nga çdo sëmundje dhe të kërkojë ilaç për ato. Për ilaçet duhet të kujdeset shteti.

Një doktor Pëllumb Pipero i Shqipërisë dhe një doktor Valbon Krasniqi i Kosovës jo vetëm që manifestuan profesionalizëm dhe besueshmëri në luftën kundër virusit, por edhe shumë optimizëm për tejkalimin e situatës.Te ne është ndryshe. Paraqitjet e autoriteteve të vendit janë agresive, kohëve të fundit edhe nervoze dhe pa kurfarë doze të optimizmit. Është e qartë se virusi nuk luftohet me çehre.Çdo respekt për infektologun Velo Markovski i cili është ndër të rrallët që beson në zvoglimin e numrit të sëmurëve, kapërcimin e kësaj situate dhe kthim në gjendje normale.

Një gjë është e qartë, se korona nuk mund të na tjetërsojë dhe të na e zhdukë traditën dhe trashigiminë tonë. Në ditë më të mira, sërish do të përshëndetemi duke i shtërnguar dorën njëri-tjetorit, duke u përqafuar, duke organizuar iftare në sofrat tona bujare dhe duke organizuar plot ahengje e dasma me plot misafirë e dashamirë.Sërish do të hapemi dhe lirshëm do të shetisim botën duke dhënë e duke marë më të mirat nga njëri tjetri. (koha.mk)

(Autorja është ish-Nënkryetare e Parlamentit të RMV-së)