Kush mund të marrë licencë? I biri i kryetarit kontrabandist, mori leje për kultivim

“Eko Enerxhi Kosmos”, mori leje për përpunim dhe shitje të kanabisit për qëllime mjekësore, me vendimin që u soll në seancë qeveritare, dhe i cili u shpall në “Gazetën Zyrtare” më 13 maj. Udhëheqësi i kompanisë është Pero Stojçev, i biri i ish-kryetarit të Novo Sellës së Strumicës, Boro Stojçev, i cili u dënua për kontrabandë cigaresh. Për këtë u prononcua edhe shefi i shtetit, Stevo Pendarovski. Ai kërkoi që Qeveria t’i rishqyrtojë vendimet e tilla.

-E pashë Dekretin dhe duhet të kërkoni përgjigje nga Qeveria pse ai dhe dekretet e ngjashme janë sjellë pikërisht tani? E pastaj edhe – pse i janë dhënë atij njeriu, i cili tani nëpër media përmendet si njeri i cili merret me tregti të paautorizuar dhe kontrabandë cigaresh – thotë Stevo Pendarovski
President i RMV-së.

 Tërë rastin e nisi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski,. Ai këtë skandal e bëri publik në emisionin “Klik Plus” të TV21.

-A e keni ditur kush është udhëheqësi i kësaj kompanie, kush është pjesë e menaxhmentit?
-Nuk e di, e as nuk më intereson.
-Pero Stojçev, i biri njërit nga kuadri juaj, i cili u dënua për kontrabandë me cigare. Dua të them se në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme, në kohë kur qytetarët nuk e dinë si do t’ia dalin me krizën dhe në kohë kur qytetarët mbesin pa punë dhe nuk kanë të ardhura, ju si LSDM dhe Qeveri merrni vendime për dhënie të licencave

Nga Qeveria thonë se vendimin për dhënie të një leje për kultivim të kanabisit për qëllime mjekësore, e jep Ministria e Shëndetësisë  mbi bazë të mendimit pozitiv të Komisionit për vlerësim të kushteve lidhur me hapësirën, pajisjet dhe stafin. Ministria e Shëndetësisë ka për detyrë vetëm ta informojë Qeverinë për të gjitha vendimet që e merr. Prej atje shtojnë se më 18 mars, Komisioni ka bërë kontroll dhe kanë konstatuar se kompania i përmbush të gjitha kushtet dhe se vendimi është marrë atëherë. Ministria e Shëndetësisë e ka informuar Qeverinë më 12 maj. Nga Qeveria janë decidë se nuk ka asgjë të kontestueshme që Kompania “Enerxhi Kosmos” ka marrë licencë për kultivim të kanabisit.